Lidhje

Në Mars zbulohen shtresa akulli - 2002-05-31


Shkencëtarët po shqyrtojnë të dhënat e dërguara nga një raketë e lëshuar vjet nga NASA dhe që tani po rrotullohet rreth Marsit.

Ata thonë se pikërisht nën sipërfaqen e planetit të kuq ka shtresa akulli, i cili mund të shërbejë për ujë të pijshëm dhe karburant raketash për eksploruesit. Akulli përforcon mundësinë që dikur në Mars të ketë patur jetë.

Zbulimet bazohen në të dhënat e përpiluara nga anija hapësinore Odissey e NASA-s e cila po sillet rreth Marsit në kuadër të një misioni për të kërkuar shenja uji dhe lëndësh të tjera kimike. Në një studim të Universitetit të Arizonës, studiuesit njoftuan se një spektrometër me rreze gama në bordin e anijes kishte zbuluar përqendrim të lartë hidrogjeni në polet e planetit.

Ekspertët besonin prej kohësh se Marsi dikur ka patur liqene dhe lumenj dhe i ngjasonte më shumë Tokës. Uji është zhdukur në fazat e para të historisë së planetit dhe shkencëtarët kanë shtruar pyetjen se ku ka shkuar ai. Studimet e reja i hapin rrugë idesë se uji ka filtruar nën sipërfaqe dhe është ngrirë.

Instrumentet e anijes zbulojnë prova të pranisë së ujit duke matur reaksionin e rrezeve kozmike kur ato hasin në sipërfaqen e Marsit. Provat e reja e mbështesin idenë e një sasie shumë të madhe uji në Mars dhe shkencëtarët thonë se kjo do ta lehtësonte eksplorimin e planetit të kuq.

Prania e sasive të mëdha të ujit përforcon gjithashtu mundësinë se jeta, ndoshta në nivel mikrobesh, ka ekzistuar dikur në Mars dhe mund të jetë ende e pranishme atje, në depozitat e ujit nën sipërfaqe

XS
SM
MD
LG