Lidhje

Elizabeth Jones viziton Maqedoninë - 2002-06-07


Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështje të Europës dhe Euro-Azisë, ambasadorja Elizabeth Jones, po bisedon sot në Shkup me zyrtarët më të lartë maqedonas, presidentin Trajkovski, kryeministrin Georgievski dhe ministrin e jashtëm Cashule, udhëheqësit politikë të vendit dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Shkup, lidhur me një sërë cështjesh politike, ekonomike dhe të sigurisë. Zonja Jones mori pjesë sot në përurimin e një ure për këmbësorë në lumin Vardar, i cili kalon përmeskryeqytetit Shkup, e cila është ndërtuar me ndihmën e agjensisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar.

Ndërkohë, parlamenti i Maqedonisë nuk ka miratuar ende pjesën e mbetur të ligjeve që dalin nga marrëveshja e paqes, e nënshkruar në Ohër në gusht të vitit të kaluar.

Puna e parlamentit për këto cështje u bllokua pasi LSDM e Branko Cërvenkovskit, tha se nuk do të merrte pjesë në punimet e parlamentit, sepse qeveria nuk po respektonte atë që ishte rënë dakord midis udhëheqësve politikë te vendit në lidhje me paketën e ligjeve, vecanërisht për paketën për ligjet zgjedhore.

Gazetat e sotme në Maqedoni shkruajnë për mundësinë që fletëvotimet të jenë në dy gjuhë, në shqip dhe maqedonisht, që është edhe kërkesë mjaft e rëndësishme e palës shqiptare, ndërkohë që në median maqedonase thuhet gjithashtu se VMRO-DPMNE, partia e kryeministrit Georgievski i ka ofruar LSDM-së, së Branko Cërvenkovskit, që të bëjnë koalicion parazgjedhor dhe të dalin me lista të përbashkëta kandidatësh në njësinë e gjashtë zgjedhore, që përfshin Tetovën, Gostivarin dhe Dibrën.

Një zëdhënës i VMRO-DPMNE-së ka thënë se kjo bazohet në interesat bazë nacionale të palës maqedonase. VMRO-DPMNE, partia e kryeministrit Georgievski, ka konfirmuar gjithashtu se nuk do të bëjë koalicion me partinë e re të kryesuar nga Ali Ahmeti, të quajtur Bashkimi Demokratik për integrim.

Në palën shqiptare, ende nuk është e qartë sesi do të shkohet në zgjedhje dhe cilat do të jenë aleancat e mundshme.

XS
SM
MD
LG