Lidhje

Departament i ri duhet miratuar brenda këtij viti - 2002-06-07


Presidenti Bush po përpiqet të fitojë mbështetjen për planin e tij për të krijiar Departamentit e ri për Sigurinë Kombëtare. Presidenti u takua dje me ligjvënës dhe theksoi nevojën për centralizimin e përpjekjeve kundër terrorizmit. Në një fjalim që mbajti më pas para fermerëve nga shteti Iowa, presidenti tha se lufta kundër terrorizmit është një lloj i ri lufte që kërkon mënyra të reja veprimi.

Në departamentin e ri do të shkriheshin të paktën 20 agjenci të veçanta qeveritare, ku punojnë deri në 170 mijë veta, duke e bërë atë të dytin pas Departamentit të Mbrojtjes për nga madhësia dhe përgjegjësia.

Presidenti Bush ftoi në Shtëpinë e Bardhë udhëheqës të Kongresit nga të dyja partitë politike në vazhdën e përpjekjeve për të siguruar mbështetje për planin e tij për krijimin e agjencisë së re.

Atij i nevojitet miratimi nga Kongresi për ta bërë agjencinë e re për Sigurinë Kombëtare department në nivel ministror dhe presidenti thotë se kjo duhet bërë brenda këtij viti:

Mendoj se shumica e anëtarëve të kongresit, tha presidenti Bush, e kuptojnë nevojën për të vepruar. E di, theksoi ai, se anëtarët e Kongresit janë të vetëdijshëm që ne jemi të mbërthyer në një lloj të ri lufte.

Presidenti dhe udhëheqësit e Kongresit parashikojnë se do të ketë beteja burokratike rreth disa pjesëve të agjencive ekzistuese që do të shkëputen për t’u bashkuar me departamentin e ri.

Departamenti për Sigurinë Kombëtare do të marrë përsipër edhe punën e Shërbimeve të Imigracionit, Doganave, Patrullimit Kufitar dhe të Rojës Bregdetare. Ky do të ishte riorganizimi më i madh qeveritar në më shumë se 50 vjet.

XS
SM
MD
LG