Lidhje

Kongresi amerikan diskuton mbi situatën në Kosovë - 2002-06-21


Kthimi i serbëve të larguar në Kosovë dhe gjendja në Mitrovicë, ishin dy çështjet kryesore e diskutuara në një seancë të Komisionit Helsinki për Sigurinë dhe Bashkëpunimin me Evropën të Kongresit amerikan. Përfaqësues nga Kosova dhe Serbia, debatuan mbi rrugët që duhen gjetur që të dyja palët të bashkëjetojnë në harmoni.

Mes serbëve dhe shqiptarëve mbeten ende shumë probleme, të pazgjidhura, për të cilat anëtarët amerikanë të Kongresit mendojnë se mund të vënë në rrezik suksesin e zgjedhjeve të tetorit. Serbët nuk mendojnë se në Kosovë është krijuar një ambjent i përshtatshëm, ku ata të ndihen të sigurt, ndërsa shqiptarët e Kosovës, mendojnë se Beogradi ndikon në qëndrimet e serbëve.

Christopher Smith, anëtar i Kongresit dhe bashkëkryetar i komisionit, tha se sipas tij situata nuk është e pazgjidhshme, por është e papranueshme që bashkësia ndërkombëtare të mendojë që kjo është gjendja më e mirë e mundshme.

”Ju duhet të tregoni se pikëpamjet tuaja janë ndryshe nga ato vrasëse të Millosheviçit. Hakmarrja nuk është drejtësi dhe nuk duhet pranuar”, tha zoti Smith duke iu drejtuar shqiptarëve.

Ndërsa senatori Voinovich shprehu shqetësimin për faktin që ende "ka më shumë pakica që po ikin nga Kosova, sesa që po kthehen".

"Tensionet etnike vazhdojnë të mbeten në Kosovë. Është e rëndësishme që të vazhdojmë angazhimin tonë në Kosovë", tha senatori Voinovich.

Alush Gashi, ligjvënës i Kosovës dhe përfaqësues i Lidhjes Demokratike, tha se shqiptarët po bëjnë maksimumin për të krijuar kushte për kthimin e serbëve në Kosovë.

”Unë do të thoja se Kosova është një histori e suksesshme dhe shqiptarët janë të angazhuar të punojnë me ju, derisa të gjithë shtetasit e saj të gëzojnë të drejta të barabarta”, tha ai.

Një nga çështjet më delikate të diskutuara ishte situata në Mitrovicë dhe debatet mbi të ardhmen e saj. Zoti Gashi tha se nuk mund të pranohet që Mitrovica të ndahet, por udhëheqësja e koalicionit serb ”Kthimi” në Kosovë, Rada Traikovic tha se vetë serbët në Mitrovicë bëjnë trysni ndaj Beogradit për ndarje.

Zëvendëskryeministri serb, Nebojsa Covic tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se Serbia nuk do të kërkojë ndarjen e Mitrovicës, por me një kusht: ”Përsa i takon ndarjes së Mitrovicës veriore, ose ndarjes së Kosovës veriore, do të thoja që pa dyshim nuk do të ketë një ndarje të tillë, natyrisht me kusht që të mos ketë pavarësi të Kosovës”, tha zoti Covic.

Ai shtoi se do të vijë një kohë kur, të dy popujt të shkëmbejnë ndjesa me njëri tjetrin, por për të më e rëndësishme është që ata që kanë kryer krime nga të dyja palët, si serbë edhe shqiptarë të shkojnë për gjykim në Hagë.

XS
SM
MD
LG