Lidhje

Shqipëri: pritet dorëheqja - 2002-07-11


Megjithëse kryeministri Pandeli Majko ende nuk e ka thënë fjalën e fundit, largimi i tij dhe i qeverisë që ai drejtoi për afër 4 muaj, është bërë tashmë një fakt i kryer. Kryetari socialist Fatos Nano tashmë ka hapur dhe qartë për ndërrimin e sigurt të qeverisë dhe për faktin se do të jetë ai që do të drejtojë ekzekutivin e ri. Ndërsa në takimet direkte ai ka qenë i ashpër ndaj përpjekjeve të kryeministrit Majko për të rezistuar apo fituar kohë, në publik ai ka dhënë vlerësime pozitive për qeverinë aktuale, duke shpjeguar për një ndryshim për shkak të ndonjë krize, por për një riintegrim sipas të tij, të kabinetit aktual dhe të vetë kryeministrit Majko. Ai e ka konsideruar ekzekutivin aktual si një qeveri kujdestare që punoi në një moment krize. Deklarata që tingëllojnë më tepër si një mënyrë për t’ia bërë më pak të dhimshëm largimin e pashmangshëm kyeministrit Majko. Sot në mbledhjen e kryesisë kryetari Nano pritet të paraqesë pikat ku duhet të përmirësohet dhe forcohet qeverisja socialiste. Të majtët këtë herë kanë premtuar se do të ndërtojnë një kabinet që duhet të drejtojë vendin deri në fund të mandatit të tyre, ndryshe nga eksperienca e vitit të fundit kur kanë ndërruar disa herë qeveri vetëm për shkak të problemeve të tyre të brendshme.

Ndërkaq, kryeministri Pandeli Majko po e përballon qetësisht këtë situatë. Ai ka mbledhur edhe mbrëmë qeverinë duke kërkuar angazhim maksimal në punë dhe nga ana tjetër është shprehur se ky proces do të zgjidhet në mënyrë shumë të qetë. Në të vërtetë rrugdaljet e tij janë minimale. Ata që janë kundër ndryshimit të qeverisë, përtej deklaratave të bujshme, japin pak shpresë se mund të përfaqësojnë një rrymë të qëndrueshme për të përballuar përpjekjet dhe planet e kryetarit Nano dhe ish kryeministrit Ilir Meta. Edhe mbështetja dhe vlerësimet publike të presidentit aktual Rexhep Mejdani në favor të tij, nuk mund të kenë më shumë se vlerën e një dekorate për punë të mirë, përsa kohë edhe kreu aktual I shtetit I ka vetë ditët e numëruara.

XS
SM
MD
LG