Lidhje

Ministrat e jashtëm arabë të inkurajuar nga presidenti Bush - 2002-07-19


Diplomatë të lartë nga tre vende arabe thanë se janë të inkurajuar nga bisedimet me presidentin George Bush mbi përpjekjet për të punuar drejt arritjes së paqes në Lindjen e Mesme.

Ministrat e Jashtëm të Egjiptit, Jordanisë dhe Arabisë Saudite u takuan me zotin Bush në Shtëpinë e Bardhë dje. Ministri egjiptian, Ahmed Maher, u tha gazetarëve se të gjithë ata kanë të njejtin vizion për krijimin e shtetit palestinez, që do të jetojë në paqe krah për krah me Izraelin.

Presidenti Bush tha para bisedimeve se nuk do të dekurajohet nga armiqtë e paqes, që përpiqen të minojnë përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve. Më parë, të tre ministrat e jashtëm u dhanë zyrtarëve amerikanë një plan për reformat politike në Autoritetin Palestinez, i cili thuhet se bën thirrje për zgjedhjen e parlamentit dhe të kryeministrit.

Ndërkaq, trupat izraelite kanë arrestuar të afërm të palestinezëve, që kanë lidhje me sulmet vetë-vrasëse të kësaj jave kundër Izraelit. Janë arrestuar mbi 20 burra, që thuhet se janë baballarët dhe vëllezërit e 2 dyshuarve kryesorë.

Zyrtarë izraelitë thanë se synojnë të dëbojnë pjesëtarët e familjeve nga Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës për të shkurajuar sulme në të ardhmen. Zyrtari i lartë palestinez Saeb Erekat tha se një hap i tillë do të ishte krim lufte kundër popullit palestinez.

Forcat izraelite shkatërruan gjithashtu shtëpitë e 2 ekstremistëve, që janë cilësuar si të dyshuarit kryesorë në sulmet e fundit vetë-vrasëse, nga të cilët u vranë 12 veta. Grupi ekstremist palestinez Hamas thotë se vija e re politike e Izraelit vetëm do të pasohet me akte të tjera dhune.

XS
SM
MD
LG