Zëvëndësministri i brendshëm i Maqedonisë, Refet Elmazi, thotë se në zonën e Tetovës kohët e fundit ndodhin ngjarje tragjike si pasojë e përdorimit të armëve, por ende nuk mund të japë një përgjigje përfundimtare se kush qëndron pas këtyre veprimeve.
“Është e vërtetë se në Tetovë, qytetarët janë të pasigurtë, megjithëse aktivitetin e policisë. Por pa ndihmën e qytetarëve, vështirë se mund t’i parandalojmë këto dukuri negative që paraqiten kohët e fundit”.
Zëvëndësministri i brendshëm thotë se autoritetet kanë ndërmarrë veprimtari intensive për hetimin e këtyre rasteve dhe janë në përfundim të hetimeve, por thekson se qytetarët duhet të ndihmojnë policinë në zbardhjen e tyre, aq më tepër tani kur në të janë përfshirë një numër i madh policësh shqiptarë.
“Lus, apeloj tek qytetarët shqiptarë që të ndihmojnë policinë për parandalimin e këtyre rasteve tragjike. Po kështu, edhe një apel për mos- përdorimin e armëve në dasma dhe gëzime të tjera”.
Zoti Elmazi thotë se incidentet e fundit në Tetovë, nuk kanë motive politike, por mund të jenë sic thotë, larje hesapesh. Megjithatë, ai shton se ata që i kryejnë këto veprime rrezikojnë sigurinë dhe qetësinë e shqiptarëve në Maqedoninë Perëndimore.
Zëvëndësministri i brendshëm pohon se një numër armësh i llojeve të ndryshme është në duart e qytetarëve dhe përderisa nuk merren masa ndëshkuese ndaj këtyre personave, gjendja do të vazhdojë të jetë kështu sic është. Zoti Elmazi pohon gjithashtu se përdorimi i armëve do të ndikojë negativisht edhe gjatë kohës së zgjedhjeve parlamentare të 15 shtatorit.
“Ne po hartojmë një plan për garantimin e sigurisë së plotë të të gjithë qytetarëve, të garantojmë lëvizjen e lire të tyre dhe aktivitetet zgjedhore”.
Zëvëndësministri i brendshëm premton se policia do të jetë në shërbim të garantimit të lirisë së qytetarëve në mënyrë që ata të votojnë të lirë më 15 shtator.