Lidhje

Intervistë me gazetarin Peter Lucas - 2002-08-08


Gazetari shqiptaro-amerikan, Peter Lucas, ka botuar kohët e fundit një libër për Shqipërinë, ku përshkruan udhëtimet e tij të shumta në vendlindjen e prindërve. Libri, i cili botohet në anglisht, titullohet ”Rumpalla” dhe pasqyron këndvështrimin e autorit për periudhën plot peripeci që ka kaluar vendi qysh nga fundi i viteve 80 kur zoti Lucas hyri atje për herë të parë. Kolegu ynë Ilir Ikonomi i mori këtë intervistë autorit Peter Lucas.

-Zoti Lucas, çfarë ju frymëzoi për të shkruar këtë libër?

PL: Në atë libër ka shumë rrëfime që unë dhe njerëz të tjerë menduan se do të ishte për të ardhur keq në rast se do të harroheshin dhe do të zhdukeshin. Unë i mblodha të gjitha këto rrëfime nga përvojat e mija të shumta në Shqipëri, ku kalova disa aventura, dhe i hodha në këtë libër. Libri quhet Rumpalla dhe jo pa qëllim.

-Ju keni qenë 21 herë në Shqipëri, apo jo?

PL: Po ashtu është.

-Që nga viti 1986, kur ju hytë për herë të parë në Shqipëri, cilat janë ato ndryshime kryesore që kanë ndodhur te shqiptarët, tek mentaliteti i tyre?

PL: Natyrisht, ndryshimi kryesor është ky që, në vitin 1986, kur shkova për herë të parë në Shqipëri, ajo ishte një shoqëri shumë e mbyllur ndërsa tani është e hapur. Në atë kohë, megjithëse mund të duket e çuditëshme, njerëzit kishin frikë të flisnin me mua, sepse ata e dinin se isha amerikan, ata më shmageshin, sigurimi ishte i interesuar për vizitën time, njerëzit ishin shumë të preokupuar se përse do të shkruaja, e kështu me radhë. Jam i lutur të them tani se vendi është i lirë, i hapur dhe relativisht demokratik.

-Por gjatë këtyre 16 vjetëve, politika shqiptare ka kaluar nëpër shumë zigzake që janë shoqëruar me shumë dhimbje për shqiptarët. Çfarë mund të kishin bërë politikanët shqiptarë ndryshe për t’i shmangur këto dhimbje?

PL: Ka disa gjëra që ata mund të kishin bërë ndryshe. Ajo që më shqetëson te politika dhe politikanët shqiptarë është se ata duket se përpiqen t’i shmangen së kaluarës. Në shoqërinë shqiptare ka vite për të cilët njerëzit duhet të krenohen. Kam parasysh rezistencën partizane kundër nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këta ishin një grup shqiptarësh, qoftë edhe komunistë, të cilët jo vetëm luftuan kundër nazistëve dhe çliruan Shqipërinë por e bënë këtë ndërkohë që zhvillonin edhe një luftë civile. Mendoj se në këtë aspekt ka shumë gjëra për të cilat duhet krenuar dhe disa gjëra që duhen çuar më tej. Për fat të keq, pasi morën pushtetin, ata e mbyllën Shqipërinë për 45 vjet me radhë dhe kjo ishte një fatkeqësi e madhe. Por nëse marrim të mirën nga një e keqe, ne mund të nxjerrim mësime. Gjithashtu më ka bërë përshtypje qeveria e re që është vendosur në vend, sepse aty bashkohen elementë të së kaluarës me elementë të së ardhmes.

-Por zoti Lucas, politikanët shqiptarë merren shumë me çështjet e ditës, me ndarjen e posteve. A mendoni se atyre u mungon një vizion i gjerë për të ardhmen e vendit?

PL: Një nga gjërat për të cilat unë do t’i kritikoja politikanët shqiptarë është pikërisht mungesa e vizionit. Ata janë të preokupuar për çështjet e ditës si postet, kontratat, pra imtësirat e qeverisë dhe duket se u mungon panorama e madhe e gjërave. Në aspektin pozitiv, ata po bëjnë hapa drejt anëtarësimit në Nato, kanë plane për të dërguar 200 trupa në Afganistan, po përpiqen të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian dhe po ecin më shumë drejt integrimit në Evropë dhe po bëhen më pak të lidhur me Konferencën Islamike, gjëra që janë pozitive.

-Me këtë libër duket se ju jeni kthyer tani nga gazetar në shkrimtar. Do të vazhdoni të shkruani për Shqipërinë?

PL: Këtë libër unë e shkrova sepse e dua vendin dhe shkoj atje me dëshirë. Kam në mendje një libër tjetër, prandaj do të shkoj përsëri në Shqipëri në tetor dhe do të vazhdoj të punoj rreth këtij libri të ri. Ky do të jetë një libër mbi Enver Hoxhën, mbi partizanët, mbi rolin e Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut në lëvizjen partizane. Shpresoj se do të kem rastin të intervistoj partizanë që luftuan dhe të vizitoj shumë nga vendet ku u luftua dhe të gjitha këto t’i hedh në libër.

-Pra shpresoni ta vizitoni Shqipërinë për të 22ën herë.

PL: Unë kam shkuar në Shqipëri kaq shpesh dhe ndoshta do të përfundoj duke u vendosur në Shqipëri ndonjë ditë, gjë që nuk do të ishte keq.

-Ide e mirë. Zoti Lucas ju faleminderit.

XS
SM
MD
LG