Lidhje

KOSOVE: Komandant Remit i zgjatet paraburgimi për 30 ditë - 2002-08-11


Një prokuror ndërkombëtar në Kosovë ka hapur hetime kundër ish komandantit të Ushtrisë Clirimtare te Kosovës, Rrsutem Mustafa, nën akuzat për “krime lufte kundër popullatës civile”.

Pas marrjes në pyetje nga një gjykatës ndërkombëtar, zotit Mustafa i është zgjatur paraburgimi për 30 ditë, ndërsa hetimet kundër tij zhvillohen në kuadër të hetimeve të filluara me herët ndaj tre ish bashkë-luftëtarëve të tij të arrestuar në janar të këtij viti.

Forcat e policisë së Kombeve të Bashkuara të mbështetura nga forcat paqëruajtëse arrestuan të dielën në Prishtinë zotin Mustafa, i njohur me emrin e luftës si komandant Remi.

Zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) thanë se ai është arrestuar nën dyshimin se mund të jetë përgjegjës për vrasje, torturë dhe arrestime të paligjshme.

Ndërkohë, mijëra shqiptarë demonstruan dje në qytetin Podujevë të Kosovës kundër arrestimit të komandant Remit. Demonstruesit marshuan përmes qytetit verior, duke mbajtur pankarta me parulla të tilla si ”liri për luftëtarët e lirisë”.

Paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë vazhdojnë të marrin masa ndaj të akuzuarve si ekstremistë, për të cilët ata thonë se vënë në rrezik sigurinë në rajon.

Zyrtarët arrestuan të hënën vonë tre shqiptarë, në një post-bllok në rrugën kryesore që lidh Kosovën dhe Maqedoninë. Tre shqiptarë të tjerë u ndaluan gjetkë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG