Lidhje

Kazakistan: Qeveria godet opozitën demokratike - 2002-08-23


Shpresat për ndryshime demokratike pësuan edhe një goditje tjetër në Kazakistan. Galymzhan Zhakiyanov, udhëheqësi i opozitës politike dhe kritik i presidentit Nursultan Nazarbayev, u dënua me shtatë vjet burgim nën akuzat për shpërdorim në detyrë gjatë kohës që ishte guvernator i një rajoni verior. Gjyqi duket se ishte një tjetër përpjekje e qeverisë kazake për të shtypur një disident politik.

Galymzhan Zhakiyanov është bashkë-themelues i lëvizjes Zgjedhja Demokratike për Kazakistanin, e cila u krijua nëntorin e kaluar. Kjo lëvizje synon të nxisë demokracinë dhe ekonominë e tregut. Avokatët mbrojtës të zotit Zhakiyanov thanë se do ta apelojnë vendimin. Zoti Zhakiyanov e ka cilësuar procesin gjyqsor ndaj tij si një akt hakmarrjeje politike të inskenuar nga presidenti Nazarbayev në përpjekje për të shtypur opozitën në Kazakistan.

Veprimet e fundit të qeverisë duket se janë vazhdim i një prirjeje. Muajin e kaluar, bashkë-themeluesi i lëvizjes Zgjedhja Demokratike për Kazakistanin dhe ish-ministër i energjetikës, Mukhtar Ablyazov u dënua me gjashtë vjet burgim nën akuzat për korrupsion. Përveç kësaj, qeveria i ka përdorur gjyqet si kërcënim për gazetarët që kanë mbuluar veprimtaritë e opozitës politike dhe akuzat për veprimtari të papërshtatshme financiare nga ana e zyrtarëve të lartë të Kazakistanit.

Është inkurajues fakti që partia opozitare Ak Zhol ka bërë të ditura planet për të filluar botimin e dy gazetave të reja. Numri i parë i njërës prej tyre, e titulluar “Epokha,” doli nga shtypi dhe u shpërnda në 10 mijë kopje. Vendosmëria e partisë Ak Zhok tregon se të paktën disa kazakë nuk dëshirojnë të lejojnë që veprimet e qeverisë të pengojnë pjesëmarrje e tyre në procesin politik.

Kjo pjesëmarrje do të vështirësohet nga një ligj i ri që shton pengesat për regjistrimin e partive politike. Numri minimal i anëtarëve të partisë që nevojiten për regjistrim u rrit nga 3 mijë në 5 mijë vetë. Ligji kërkon gjithashtu shkrirjen e partisë nëse ajo nuk arrin të sigurojë përfaqësim në parlament në zgjedhje të njëpasnjëshme. Në bazë të ligjit të ri, të gjitha partitë politike duhet të ri-regjistrohen. Si rezultat, shumë nga partitë ekzistuese të Kazakistanit mund të diskualifikohen nga pjesëmarrja në procesin politik.

Ligji i ri zgjedhor dhe përndjekjet e vazhdueshme kundër opozitës si dhe mjeteve të pavarura të informimit paraqesin një rrezik të rëndë për të ardhmen e Kazakistanit. Është detyrë e qeverisë së presidentit Nazarbayev që të përkushtohet për të çuar përpara pluralizmin politik, lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit. Siç ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell, “Nëse synojmë të triumfojmë mbi terrorizmin, ne duhet ta bëjmë një gjë të tillë në një mënyrë që respekton dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e burrave dhe grave.”

XS
SM
MD
LG