Lidhje

11 shtatori e ndërgjegjësoi Amerikën për rrezikun e rrjetit terrorist botëror - 2002-09-05


Koalicioni nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara është ende në fillimin e luftës kundër terrorizmit. Terroristët që kryen sulmin e 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara janë të pamëshirshëm. Siç u shpreh nën-presidenti amerikan Dick Cheney, ”Nuk ka asnjë lloj dyshimi se terroristët duan të kryejnë sulme të tjera, dhe se ata po përpiqen të sigurojnë armët më vdekjeprurëse.”

”Kundër armiqve të tillë, tha zoti Cheney, Amerika dhe bota e civilizuar kanë një mundësi të vetme zgjedhjeje. Terroristët duhet t’i ndalojmë kudo që ata të jenë”. Në Afganistan, regjimi taleban dhe terroristët e Al-Kaidës kanë gjetur fatin që ata vetë zgjodhën, kur shpallën luftën kundër civilizimit. Por Afganistani ishte veçse fillimi. ”Në se do të tërhiqeshim" - tha nënpresidenti Cheney, çdo ndjenjë sigurie që ne kemi do të ishte e përkohëshme. Në botë ka një rrjet të tërë terroristësh, të cilët janë përhapur në më tepër se 60 vende.”

”Në këtë luftë, tha zoti Cheney, ne kemi grumbuluar një koalicion të gjerë me pjesëmarrjen e vendeve të civilizuara, të cilat e njohin mirë rrezikun dhe që po bashkëpunojnë me ne në të gjitha frontet.” Presidenti Bush, e ka bërë shumë të qartë se nuk ka vend neutral në luftën kundër terrorizmit”, tha zoti Cheney. Ata që strehojnë terroristët janë bashkëfajtorë për veprimet terroriste që kryhen. Dhe sipas Doktrinës se presidentit Bush, një regjim që strehon dhe mbështet terroristët, do të konsiderohet si armik i Shteteve të Bashkuara.”

Sulmet terroriste të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara, tha zoti Cheney, ”e ndërgjegjësuan Amerikën për rrezikun, për synimet e vërteta të rrjetit terrorist botëror, dhe për realitetin se armiq të vendosur po përpiqen të sigurojnë armë të shkatërrimit në masë, që nuk do të hezitonin t’i vinin në përdorim kundër nesh.”

”Është e sigurtë, tha zoti Cheney, se rrjeti terrorist i Al -Kaidës po përpiqet t’i sigurojë këto armë dhe të paktën ka patur sukses në sigurimin e mjeteve jo moderne për përdorimin e tyre.” Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për bashkëpunimin e ngushtë me koalicionin botëror për të mos u lejuar terroristëve dhe vendeve që i mbështesin të sigurojnë materialet, teknologjinë dhe specialistët për ndërtimin dhe përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Siç u shpreh nënpresidenti Dick Cheney,”E gjithë bota duhet ta dijë se do të ndërmerret çdo veprim i nevojshëm për mbrojtjen e lirisë dhe sigurisë.”

Siç u shpreh presidenti Bush, rënia e armëve të shkatërrimit në masë në duart e grupeve terroriste, apo në duart e një diktatori vrasës, apo të dyve së bashku, përbën një kërcënim të paimagjinueshëm. Rreziku i të mosvepruarit është më i madh se rreziku i të vepruarit.

//rd//

XS
SM
MD
LG