Lidhje

Maqedoni: njoftohen përfundimet paraprake të zgjedhjeve - 2002-09-15


Përfundimet paraprake për zgjedhjet e djeshme parlamentare në Maqedoni tregojnë për një fitore të madhe të partive majtiste të opozitës në votime.

Shifrat e bëra publike nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tregojnë se pas numërimit të 57 për qind të votave, Bashkimi Socialdemokrat, i udhëhequr nga ish-komunisti Branko Cërvenkovski, ka siguruar 41 për qind të votave. Partia nacionaliste e djathtë e Kryeministrit Ljubço Georgievski, VMRO fitoi 24 për qind.

Bashkësia shqiptare votoi kryesisht për ish-udhëheqësin e kryengritjes së vitit të kaluar, Ali Ahmeti, udhëheqës i partisë së re Bashkimi Demokratik për Integrim që siguroi 11 për qind të votave.

Zyrtarët maqedonas dhe vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thonë se votimet u zhvilluan përgjithësisht të lira dhe të drejta, pa probleme të mëdha. Zgjedhjet e djeshme ishin të katërtat që zhvillohen që kur Maqedonia u shkëput nga Jugosllavia nën vitin 1991.

40 vjeçari, Cërvenkovski nuk e ka shpallur strategjinë e tij për formimin e qeverisë së re, por u tha sot përkrahësve të tij ”se i priste një punë e madhe përpara”.

Analistët politikë maqedonas parashikojnë një periudhë negociatash intensive para se të formohet qeveria e re. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shkup njofton se zoti Ahmeti është në pozita të forta dhe ekziston mundësia që partia e tij të bëhet partnere në qeverinë e kryesuar nga socialdemokratët.//kk

XS
SM
MD
LG