Lidhje

Presidenti Bush i bën thirrje OKB-së të veprojë kundër Irakut - 2002-09-17


Presidenti Bush i ka bërë thirrje pjesës tjetër të botës të bashkohet me Shtetet e Bashkuara për të luftuar një kërcënim të rëndë për sigurinë ndërkombëtare dhe për autoritetin e Kombeve të Bashkuara. Ky kërcënim, tha ai në fjalimin që mbajti para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, vjen nga regjimi agresiv i Sadam Huseinit në Irak.

Siç tha presidenti Bush, Organizata e Kombeve të Bashkuara lindi nga shpresa që mbijetoi pas Luftës së Dytë Botërore, “shpresa për një botë që do të ecte në rrugën e drejtësisë dhe do t’u shmngej modeleve të vjetra të konflikteve dhe frikës. Pas disa breza diktatorësh mashtrues, traktatesh të shkelura dhe jetësh të humbura pa kuptim, ne iu përkushtum standardeve të dinjitetit njerëzor dhe një sistemi sigurimi të mbrojtur nga të gjithë.”

Por, sot, tha presidenti Bush, këto standarde dhe ky sigurim po sfidohen nga grupe dhe regjime të papërgjegjshme, që nuk njohin ligje morale, as kufij në ambiciet e tyre të shfrenuara. Në celula dhe në kampe terroristët bëjnë plane për shjkatërrime të mëtejshme dhe ngrejnë baza të reja për luftën e tyre kundër qytetërimit. Dhe ne na shqetëson ideja se terroristët do të gjejnë një rrugë të shkurtër për ambiciet e tyre të çmendura, kur një regjim keqbërësish t’i pajisë ata me teknologji për të kryer vrasje në masë.

Tek regjimi i Sadam Huseinit në Irak, tha presidenti Bush, ne i gjejmë të gjitha këto rreziqe në formën e tyre më vdekjeprurëse dhe më agresive, gjejmë pikërisht atë lloj kërcënimi agresiv, të cilin Kombet e Bashkuara u krijuan për ta luftuar.

Sadam Huseini ka sfiduar ligjin ndërkombëtar dhe për më se një dekadë, një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai ka pushtuar dy vende: Iranin dhe Kuvajtin. Ai ka vrarë dhjetëra mijëra qytetarë irakianë, dhumë prej tyre me gaz helmues. Veç armëve kimike ai ka prodhuar edhe armë më vdekjeprurëse biologjike dhe është përpjekur të prodhojë armë bërthamore. Dhe ai u ka dhënë strehim dhe mbështetje disa prej terroristëve më të rrezikshëm në botë.

Sjellja e regjimit të Sadam Huseinit, tha zoti Bush, “është një kërcënim për autoritetin e Kombeve të Bashkuara dhe për paqen. Iraku i është përgjigjur një dekade kërkesash të OKB-së me një dekadë mospërfilljesh. E gjithë bota tani ndodhet përballë një prove dhe Kombet e Bashkuara përballë një çasti të vështirë dhe vendimtar. A do të respektohen dhe zbatohen me forcë rezolutat e Këshillit të Sigurimit, apo do të flaken tej pa pasoja?”

Siç theksoi presidenti Bush, “bota duhet të veprojë me maturi e vendosmëri për t’i kërkuar llogari Irakut. Shtetet e Bashkuara do të punojnë me Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për hartimin e rezolutave të domosdoshme. Për qëllimet e Shteteve të Bashkuara nuk duhet të ketë dyshime. Kërkesat e drejta për paqe dhe siguri do të plotësohen, përndryshe veprimi do të jetë i pashmangshëm. Dhe një regjim që e ka humbur ligjshmërinë e tij, do të humbasë po ashtu edhe pushtetin e tij.” //ze

XS
SM
MD
LG