Lidhje

Zgjedhjet në Maqedoni - 2002-09-24


Pak më tepër se një vit më parë, Maqedonia u përfshi nga një kryengritje e dhunshme, e filluar nga ekstremistët. Që nga ajo kohë, vendimet e guximshme të udhëheqësve të zgjedhur në mënyrë të ligjshme, bënë të mundur arritjen e përparimit në rrugën e paqes dhe qëndrueshmërisë.

Në vitin 1991 Maqedonia shpalli pavarësinë nga Jugosllavia. Dhjetë vjet më pas, forcat ekstremiste shqiptare luftuan për 7 muaj rresht me forcat qeveritare. Në gusht të vitit 2001, u arrit një marrëveshje politike. Kjo marrëveshje solli paqen mbi bazën e përmirësimit të gjendjes së të drejtave civile dhe përfaqësimin e grupeve të pakicave. Forcat kyrengritëse dorëzuan armët dhe u zotuan se do të punonin për realizimin e synimeve politike nëpërmjet procesit demokratik. Përveç disa rasteve të veçanta të dhunës, Marrëveshja e Paqes është ruajtur. Ajo u pasua me miratimin e ligjeve të reja, që mundësuan zgjerimin e të drejtave për shqiptarët dhe pakicat e tjera. Siç u shpreh Philip Reeker, zëvendës i Zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, ”Maqedonia ka shumë arsye për t’u krenuar: udhëheqësit politikë dhe qytetarët e saj kanë marrë vendime të përgjegjshme dhe kurajoze për pakësimin e tensioneve, ndërtimin e urave midis komuniteteve etnike dhe fuqizimin e kornizës ligjore drejt përparimit të mëtejshëm të shoqërisë civile në Maqedoni.”

Tani Maqedonia ka një tjetër arsye për t’u krenuar. Kohët e fundit atje u zhvilluan zgjedhjet e para parlamentare që nga koha e kryengritjes. Vëzhguesit ndërkombëtarë i vlerësuan zgjedhjet si të lira dhe të drejta, pothuajse pa asnjë rast dhune dhe me pjesëmarrjen më të lartë gjatë dekadës së fundit. Kryeministri maqedonas, duke pranuar humbjen i quajti ato si ”zgjedhjet më demokratike në historinë e Maqedonisë”, dhe u zotua se partia e tij do të luajë rolin e opozitës konstruktive në parlamentin e ri.

Shtetet e Bashkuara e përshëndetën Maqedoninë për zhvillimin me sukses të zgjedhjeve parlamentare. Siç e dinë mirë vetë qytetarët e Maqedonisë, zgjedhjet nuk shënojnë fundin, por fillimin. Shumë punë mbetet përpara për t’u bërë për zbatimin e Marrëveshjes së Paqes dhe për më tepër reforma në rrugën për integrimin e plotë të vendit në insitucionet Euro-Atlantike.

Demokracia nuk mund të përmirësojë të gjitha dobësitë e një vendi. Por nëpërmjet të zgjedhjeve paqësore, të lira e demokratike, popullit i jepet e drejta për të thënë fjalën e vet në qeverisjen e vendit. Nëpërmjet të përfaqësuesve të vet në qeveri, banorët kanë mundësi t’i zgjidhin mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore, për të mirën e të gjithëve. Më 15 shtator, qytetarët e Maqedonisë hodhën votat e tyre për paqen, demokracinë dhe begatinë, kundër ekstremizmit. Ata hodhën një hap të madh përpara për të bërë realitet këtë vizion në vendin e tyre.

XS
SM
MD
LG