Lidhje

SHBA: Gjykata ndërkombëtare nuk ka pushtet mbi ne - 2002-09-26


Tërheqja amerikane nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, u bë një çështje shumë e debatueshme në Shtetet e Bashkuara dhe kudo në botë. Administrata jo vetëm që hoqi firmën e saj nga traktati i Romës që ratifikonte gjykatën, por ndërmori hapa të mëtejshme. Mes tyre ishte ishin një veto në Këshillin e Sigurimit, si edhe vendimi për të nënshkruar marrëveshje dypalëshe me shtete të veçanta për t’u siguruar imunitet amerikanëve.

Në një forum të organizuar nga Shoqata Amerikane për të Drejtën Ndërkombëtare, ambasadori për Çështjet e Krimeve të Luftës në Departamentin e Shtetit, Pierre-Richard Prosper, theksoi qëndrimin e administratës se traktati për futjen në fuqi të gjykatës kishte të meta dhe për këtë arsye ajo vendosi të tërhiqej. Shqetësimi kryesor ishte se gjykata mund të përdorej për arsye që nuk kanë të bëjnë me drejtësinë.

”Shqetësimi ynë është se një prokuror, mund të kërkojë të fillojë një hetim apo ndjekje penale jo për shkak të një shkeljeje, apo sepse kishte prova të besueshme për shkeljen, por për motive politike, ose për sukses personal”, tha zoti Prosper.

Por problemi tjetër që shqetëson aktualisht Shtetet e Bashkuara është se shtetasit e tyre mund të gjykohen nga kjo gjykatë edhe pa qenë pjesëmarrës në të. Për këtë arsye ato fillimisht vendosën veton për të mos miratuar një rezolutë në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara për shtyrjen e afatit të misionit paqeruajtës në Bosnje. Veprimi synonte që vendet e tjera të pranonin që t’u siguronin imunitet nga gjykata shtetasve amerikanë.

”Ne nuk jemi palë, kështu që gjykata nuk ka pushtet mbi ne. Ne nuk po kërkojmë imunitet dhe nuk po nxisim mosndëshkim, sepse ne do t’i mbajmë njerëzit tanë përgjegjës për shkeljet. Ne thjesht nuk jemi palë në gjykatë”, tha ambasadori Prosper.

Ndërkohë, një ekspert i së drejtës ndërkombëtare, David Stoelter e kritikoi ashpër vendimin për t’u tërhequr nga traktati, por sidomos qëndrimin e mëtejshëm amerikan ndaj ndaj gjykatës që siç tha ai ende nuk ka filluar të funksionojë.

”Megjithatë kur statuti hyri në fuqi, sipas meje ishte një hap prapa nga vlerat tradicionale amerikane”, tha zoti Stoelter.

Administrata e presidentit Bush po përdor një nen të kushtetutës amerikane për marrëveshje dypalëshe me shtete të veçanta, ku kërkohet që të mos preken shtetasit amerikanë. Rumania ishte vendi i parë nënshkrues dhe deri tani janë bërë 12 të tilla. Ky fakt e solli edhe një herë debatin në qendër të vëmendjes, pasi Bashkimi Evropian i paralajmëroi vendet që shpresojnë të anëtarësohen në të që të tregojnë kujdes në veprimet e tyre.//kk

XS
SM
MD
LG