Lidhje

Kosovë: Trafikimi për shfrytëzim seksual, në nivele alarmante - 2002-10-10


Dukuria e trafikut njerëzor ka arritur nivele alarmuese në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin. Organizata Ndërkombëtare për Migrim thotë se të paktën 200 mijë viktima trafikohen çdo vit për në Ballkan ose përmes tij, nga të paktën 700 mijë njerëz që trafikohen në gjithë botën.

Organizata Ndërkombëtare për Migrim ka botuar ditët e fundit një raport për gjendjen e trafikut njerëzor për shfrytëzim seksual në Kosovë dhe përmes Kosovës, për periudhën shkurt 2000-shtator 2002.

Raporti bazohet në historitë e 322 viktimave që janë ndihmuar gjatë kësaj periudhe nga organizata. Një përfaqësuese e Organizatës për Migrim në Prishtinë shpreh në një intervistë për Zërin e Amerikës, shqetësimin për gjendjen në Kosovë.

”Dukuria e trafikut njerëzor në Kosovë ka arritur nivele alarmuese dhe mund të themi se po përkeqësohet përsa u takon mënyrave të trafikimit, pasi trafikantët po përdorin rrugë më të sofistikuara për të futur në kurth dhe për të kontrolluar viktimat dhe për të reaguar ndaj veprimeve të autoriteteve të ruajtjes së rendit”, thotë ajo.

Një nga dukuritë e veçanta në Kosovë, është se përveçse pikënisje dhe tranziti për këtë lloj trafiku, ajo është bërë një nga vendmbërritjet kryesore për viktimat që vijnë nga Evropa Juglindore. Në raport thuhet se shumica e tyre vijnë nga Moldavia, por edhe nga Romania, Ukraina, Bullgaria, Shqipëria, vetë Kosova, Rusia dhe Serbia.

”Një nga aspektet që shfrytëzohet prej trafikantëve, janë kushtet e jetesës së grave. Përgjithësisht është varfëria e skajshme, apo papunësia, mungesa e mundësive për arsimim, mungesë mundësish për të jetuar normalisht”, thotë përfaqësuesja e Organizatës për Migrim.

Ndjekja e rrjeteve kriminale që organizojnë trafikun është shumë e rrezikshme, pasi bëhet fjalë për krim të organizuar. Zakonisht ata që organizojnë trafikun njerëzor, merren edhe me trafik droge, armësh dhe parash.

Ndaj viktimave në shumicën dërrmuese të rasteve, ushtrohet dhunë fizike dhe psikologjike. Pasojat psikologjike janë aq të rënda, saqë arrin deri në mendime për vetëvrasje.

Përfaqësuesja e Organizatës për Migrim thotë se problemi kryesor në përpjekjet për ri-integrimin e viktimave, si vendase ashtu edhe për ato nga vende të tjera, kur çohen në shtëpi, është mentaliteti vendas, ku ato trajtohen jo si viktima, por si prostituta.

”Problemi i dytë është vështirësia që kanë vendasit për t’u marrë me këtë çështje: së pari për arsye sigurie dhe së dytë për mungesë përkrahjeje. Ata kanë nevojë për përkrahje nga organizata që merren me këtë problem”, tha përfaqësuesja e Organizatës për Migrim.

Por ajo shtoi se një numër në rritje shoqatash joqeveritare janë të interesuara për t’u marrë me këtë problem dhe Organizata për Migrim po i ndihmon ato.

Ajo po punon gjithashtu me fushata informimi dhe ndërgjegjësimi dhe organizatat vendase po angazhohen gjithnjë e më shumë në procesin e ri-integrimit të viktimave.//kk//

XS
SM
MD
LG