Lidhje

Çështja e Irakut dhe konflikti izraelito-palestinez - tema të turneut të nënsekretarit amerikan Burns - 2002-10-19


Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, William Burns, filloi të shtunën një turne dy-javor në Lindjen e Mesme duke u takuar në Kajro me presidentin egjiptian, Hosni Mubarak.

Zyrtarët thanë se bisedimet u përqëndruan në çështjen e Irakut, si dhe konfliktin izraelito-palestinez dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Zoti Burns u tha gazetarëve se i transmetoi presidentit Barak vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me komunitetin ndërkombëtar sa më shumë që të jetë e mundur për të siguruar që Iraku heq dorë nga armët e shkatërrimit në masë.

Ai tha se rezoluta që po diskutohet në Këshillin e Sigurimit, duhet ta bëjë të qartë se është e papranueshme nga komuniteti ndërkombëtar që Iraku të mos i zbatojë plotësisht rezolutat e OKB-së.

Gjatë kësaj jave, zoti Burns qendroi dy ditë në Paris dhe diskutoi mbi gjendjen në Lindjen e Mesme me anëtarët e Grupit të Katërshes, ku bëjnë pjesë Rusia, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara.

Në Kajro, zoti Burns tha se Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë me partnerët e tyre në të ashtuquajturin ”Kuartet” dhe vendet e Lindjes së Mesme për të përpunuar disa ide mbi zgjidhjen e konfliktit. Ai tha se synimi është gjetja e një zgjidhjeje të bazuar mbi nocionin e dy shteteve përbri njëri-tjetrit, që u propozua këtë verë nga Presidenti Bush. //az//

XS
SM
MD
LG