Lidhje

Qëndrueshmëria në Ballkan varet nga zhvillimi ekonomik - 2002-11-12


Zhvillimi ekonomik në Ballkan dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët do të diskutohen në një konferencë të organizuar nga instituti amerikan Projekti mbi Marrëdhëniet Etnike, që do të mbahet më 15 dhe 16 nëntor, në Luçernë të Zvicrës. Presidenti i kësaj organizate, Allen H. Kassof tha të martën në një intervistë për Zërin e Amerikës se jashtë dritave dhe zhurmave të publikut, politikanët e rajonit mund ta kuptojnë më mirë pozicionin e njëri-tjetrit.

Në kushtet e ndryshimeve të vazhdueshme në Ballkan dhe të rëndësisë që kanë marrë shqiptarët, si pjesë e disa shoqërive të vendeve të rajonit, Projekti për Marrëdhëniet Etnike organizon këtë forum me pjesëmarrje të gjerë rajonale dhe ndërkombëtare.

Zoti Kassof tha se duhej krijuar një shans për një bisedë serioze, në rajonin ku ka interesa të ndryshme, shpesh në kundërshtim me njëra-tjetrën.

”Shqetësimi kryesor për rajonin është ritmi i zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies. Përsa kohë kjo pjesë e Evropës lihet mbrapa, përsa kohë ka papunësi dhe korrupsion, do të ketë paqëndrueshmëri politike”, tha zoti Kassof.

Ai tha se në konferencë do të diskutohen mënyrat për përmirësimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre. Zoti Kassof shtoi se ”vetë Shqipëria është një faktor kryesor dhe një lojtare gjithnjë e më shumë e rëndësishme në rajon”.

Presidenti i organizatës tha se gjithkush duhet të mendojë për mënyra për të realizuar bashkëjetesën në rajon, për të nxitur tolerancë dhe përmbajtje dhe një nga gjërat që shpresohet të arrihet janë hapa praktikë që mund të merren në këtë drejtim.

Duke iu referuar ppolitikanëve të rajonit, zoti Kassof tha se ata janë të gjithë njerëz shumë të aftë në pozita udhëheqjeje dhe nëse mund të arrihet që t’i fusësh në të njëjtën dhomë, ndonjëherë mund të fillojnë të ndodhin gjëra shumë të mira.

Organizatorët do të shtrojnë disa pyetje, që të diskutuara në një frymë më pak zyrtare, mund t’u hapin rrugë zgjidhjeve të problemeve.

”Ne do të pyesim se sa e rëndësishme është për shqiptarët të jenë pjesë e një komuniteti etnik të njësuar, do të pyesim se si e sheh Tirana rolin e saj rajonal. Do të pyesim nëse duhet të fillojë diskutimi për statusin përfundimtar të Kosovës dhe nëse jo, pse jo, nëse po, kur. Për këtë çështje ka sigurisht shumë mendime të ndryshme dhe ne mendojmë se do të ishte e dobishme që ato të shpreheshin”, tha zoti Kassof.

Ai shtoi se një pyetje tjetër do të jetë nëse do të jetë e qëndrueshme marrëdhënia mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni dhe a është e mundur të ngrihet atje një shoqëri e integruar, si edhe marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe Malit të Zi.

Po ashtu do të diskutohet për rolin e Shteteve të Bashkuara në rajon dhe ndryshimin e mundshëm të balancës mes përgjegjësive të amerikanëve dhe evropianëve për ta mbajtur situatën të qetë.

Në konferencën që mbështetet edhe nga Departamenti Federal i Marrëdhënieve me Jashtë i Zvicrës, do të marrin pjesë rreth 40 udhëheqës politikë nga Shqipëria, Greqia, Italia, Maqedonia, Rumania, Serbia dhe Mali i Zi, Zvicra, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara.

E gjithë udhëheqja politike e Kosovës do të jetë e pranishme. Dr. Kassof tha se ndër personalitetet shqiptare qe do të marrin pjesë janë Kryeministri Fatos Nano, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, kreytari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, Arbën Xhaferi.

Po ashtu do të marrin pjesë zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, UNMIK-u, Këshilli i Evropës, NATO-ja, OSBE-ja, Pakti i Stabilitetit për Evropën juglindore dhe nga Kombet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG