Lidhje

Ushtrimet fizike-armë në luftën kundër kolesterolit - 2002-11-12


Sipas një studimi të kohëve të fundit, njerëzit që janë mbi peshë nuk kanë nevojë të humbin kilogramët e tepërt për të përmirësuar nivelin e kolesterolit. Personat me kolesterol të lartë duhet të merren me ushtrime fizike, të cilat nuk është e thënë të jenë intensive, por mjafton që ato të zhvillohen.

Për herë të parë, studjuesit e Universitetit Duke në Karolinën e Veriut thonë se ushtrimet fizike pa qenë nevoja për humbje në peshë, ndikojnë pozitivisht në uljen e kolesterolit.

Në studimin e botuar në Revistën Mjekësore të New Englandit, ekipi i studjuesve të Universitetit Duke thotë se persona që bëjnë jetë sedentare dhe që kanë nivel të lartë kolesteroli, e përmirësuan nivelin e tij, duke kryer ushtrime fizike me një ekuivalencë prej 32 kilometrash në javë, edhe pse nuk humbën në peshë.

“Megjithëse ne nuk nxisin mos-humbjen në peshë, nuk duhet të përqëndrohemi në humbjen e saj si përfitimin kryesor të ushtrimeve fizike dhe duhet të sigurohemi që individët të cilët nuk humbin në peshë, të përfitojnë nga ushtrimet, edhe pse pesha nuk u ndryshon,” thotë dr. Kraus, i cili udhëhoqi studimin. Ai shton se nga grupet që u përfshinë në studim, ai që kryente 32 kilometra vrap në javë e pëmirësoi nivelin e kolesterolit më tepër se një tjetër grup pjesëmarrës në studim, që kryente 60 për qind të ushtrimeve fizike të grupit të parë, po me të njëjtin intensitet. Një grup i tretë, që kryente edhe më pak ushtrime fizike, kishin më pak përmirësim, ndërsa një grup i katërt personash që nuk kryenin fare ushtrime fizike, kishte nivelin më të lartë të kolesterolit se të gjithë personat e përfshirë në studim.

“Çdo lloj ushtrimi fizik është më mirë se të mos bësh fare ushtrime, por një sasi më e madhe ushtrimesh në javë, që nuk është e nevojshme të jenë më intesive, është shumë më mirë se më pak ushtrime përsa i përket përmirësimit të nivelit të kolesterolit,” thotë mjeku.

Doktor Kraus rekomandon që personat që janë mbi peshë të kryejnë 32 kilometra ushtrime fizike në javë, si, vrap, apo ecje, ose tre e gjysëm, deri në katër orë ushtrime të tjera në javë për të ulur nivelin e tyre të kolesterolit.

XS
SM
MD
LG