Lidhje

Sadam Husein tha se e pranoi rezolutën për të shmangur një sulm amerikan - 2002-11-16


Udhëheqësi irakian Sadam Husein tha se i pranoi kërkesat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që Iraku të çarmatoset për të shmangur një sulm nga e Shteteve të Bashkuara.

Në një letër të hapur drejtuar parlamentit irakian, presidenti Husein tha se e shqyrtoi rekomandimin e parlamentit për të hedhur poshtë kërkesat e Këshillit të Sigurimit, por ai shtoi se vendosi t’i pranonte ato për shkak ”të aleancës amerikano-sioniste për t’u hedhur në luftë kundër popullit irakian”.

Presidenti Husein shfaqi shpresën që inspektimet e reja të Kombeve të Bashkuara për armë do të tregojnë që Iraku nuk ka armë të shkatërrimit në masë.

Po të shtunën kryeinspektori i Kombeve të Bashkuara për armët, Hans Blix, tha se po qe që Iraku shtyn një inspektim edhe për vetëm 30 minuta, kjo do të ishte një shkelje serioze e detyrimeve të tij ndaj Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Zoti Blix i bëri këto komente të shtunën për gazetën Le Mond në Paris, ku ai dhe ndihmës të tij të lartë bënë një ndalesë gjatë udhëtimit të tyre për në Bagdad.

Inspektorët do të mbërrijnë në kryeqytetin irakian të hënën për t’u përgatitur për rifillimin e kërkimeve të tyre për armë të shkatërrimit në masë për herë të parë në 4 vjet. Zoti Blix ka thënë se inspektorët mund të fillojnë punën e tyre që më 27 nëntor.

Mjetet zyrtare të informimit në Irak njoftuan të shtunën se inspektimet do të provojnë një herë e përgjithmonë se Bagdadi nuk ka armë bërthamore, kimike ose biologjike. //az//

XS
SM
MD
LG