Lidhje

Bush: me dëshirë apo me forcë Iraku do të çarmatoset - 2002-11-26


Lufta kundër terrorizmit global është e para luftë e shekullit të 21-të. Më se 90 vende janë bashkuar në koalicionin e udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara për ta asgjësuar këtë rrezik. Të dhënat e zbulimit përdoren bashkarisht. Pasuritë e grupeve terroriste sikurse al-Qaida dhe degët e saj, janë duke u bllokuar. Terroristët po ndiqen kudo ku ata komplotojnë dhe stërviten. Terroristët po kapen dhe po u dorëzohen organeve të drejtësisë.

Autoritetet indoneziane po bëjnë përparim në identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës për shpërthimin e muajit të kaluar në një klub nate në Bali, nga i cili humbën jetën 200 veta. Disa terroristë janë arrestuar tashmë. Kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara u arrestua një person , i cili dyshohet të ketë lidhje me një celulë terroriste në Detroit të shtetit Michigan. Kjo celulë mendohet të ketë lidhje me al-Qaidën.

Po ashtu vende të ndryshme po bashkohen për t’iu kundërpërgjigjur rrezikut që paraqet regjimi irakian i Sadam Huseinit Ai është një diktator që i ka përdorur armët kimike kundër popullit të tij. Nëpërmjet rezolutës 1-4-4-1, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i ka autorizuar inspektorët të verifikojnë në se regjimi i Bagdatit i ka asgjësuar armët e tij të shkatërrimit në masë dhe në se i ka ndaluar programet e raketave balistike. Siç ka thënë presidenti George W. Bush, “Ne nuk do të lejojmë që Sadam Huseini t’u bëjë shantazh dhe të terrorizojë vendet që duan lirinë.”

Sadam Huseini ka premtuar të bashkëpunojë me inspektorët e armëve të OKB-së. Por siç ka thënë presidenti Bush, “Ne i kemi dëgjuar këto premtime edhe më parë dhe kemi parë të shkelen në mënyrë të përsëritur. Ne tani duam t’i japim fund kësaj loje mashtrimesh, gënjeshtrash dhe mohimesh.”

Sadam Huseinit, ka thënë presidenti Bush, “i është dhënë një afat fare i shkurtër për të deklaruar tërësisht dhe pa gënjyer, arsenalin e tij të tmerrit. Në se ai do të mohojë përsëri se ky arsenal ekziston, ai do ta fillojë këtë fazë finale me një gënjeshtër. Dhe kësaj radhe mashtrimi nuk do të tolerohet. Vonesa dhe mospërfillja do të shoqërohen me pasoja nga më të rëndat.”

Qëllimi, ka thënë presidenti Bush, “është të garantohet paqja nëpërmjet çarmatimit të plotë e të gjithanshëm të Irakut. Me dëshirë apo me forcë ne do t’ia arrijmë këtij qëllimi.” //ze//

XS
SM
MD
LG