Lidhje

SHBA-të në prag të vlerësimit publik të raportit irakian për armët - 2002-12-17


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, tha se pritet që administrata e presidentit Bush të bëjë të njohur nga fundi i kësaj jave vlerësimin e saj lidhur me deklaratën e Irakut për armët.

Nuk pritet që Shtetet e Bashkuara të publikojnë analizën e tyre të raportit masiv prej 12 mijë faqesh deri pasi kryeinspektori i Kombeve të Bashkuara për armët, Hans Blix, t’i paraqesë Këshillit të Sigurimit raportin e tij, ditën e enjte.

Mirëpo, sekretari Powell u tha të hënën gazetarëve se ka probleme me deklaratën irakiane dhe se Shtetet e Bashkuara po u shprehin shqetësimet e tyre inspektorëve të armëve si edhe vendeve anëtare të përherëshme të Këshillit të Sigurimit.

Zoti Powell ia bëri përsëri të qartë Bagdadit se duhet të veprojë në përputhje me një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, ku kërkohet që shkencëtarët irakinë, të cilët kanë punuar në projeket e armëve, të bashkëpunojnë me inspektorët e OKB-së.

Edhe zyrtarë britanikë thanë se kanë mbetur të zhgënjyer nga raporti irakian. Ata thonë se në raport nuk përfshihen shumë informacione të rëndësishme, gjë që mund t’i ketë kushtuar Irakut shansin e fundit për të mënjanuar luftën.

Bagdadi e paraqiti raportin javën e kaluar, duke thënë se ai provon që Iraku nuk ka armë të shkatërrimit në masë dhe as mjete për prodhimin e tyre.

Ndërkohë, ekspertët ndërkombëtarë të armëve vazhduan inspektimet në objektet irakine që dyshohet se janë përdorur për prodhimin e armëve, përfshirë një fabrikë farmaceutike në qytetin verior të Mosulit dhe Universitetin e Bagdadit. Kombet e Bashkuara kanë tani 100 inspektorë armësh në Irak. //kk//

XS
SM
MD
LG