Lidhje

Sekretari Powell: Fillimi ose shmangia e luftës është në duart e Sadam Huseinit. - 2002-12-17


Kombet e Bashkuara kanë vendosur që Iraku të asgjësojë armët e tij të shkatërrimit në masë, si dhe raketat e ndaluara balistike. Siç ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell, “Ne e dimë nga ekipet e mëparshme të inspektimit se Sadam Huseini ka prodhuar armë të tilla. Ai zotëron armë të tilla. Ai e mohon këtë, por e vërteta është zbuluar. Më pas ai krijoi rrethana të tilla që i detyruan inspektorët e Kombeve të Bashkuara të tërhiqeshin katër vjet më parë.”

Inspektorët e armëve tani janë kthyer në Irak. Siç u shpreh Sekretari Powell, “tani do të shohim në se Sadam Huseini e ka kuptuar se kostoja e gënjeshtrave do të jetë tepër e lartë. Kostoja e gënjeshtrave tani mund të çojë në shkatërrimin e regjimit të tij nga forcat e armatosura të komunitetit ndërkombëtar.” Nëse Sadam Huseini bashkëpunon, tha Sekretari amerikan i Shtetit Powell, “lufta mund të shmanget. Nëse ai nuk bashkëpunon, ... është përgjegjësia e komunitetit ndërkombëtar të marrë masa që vullneti i tij do t’i imponohet Sadam Huseinit duke e rrëzuar atë regjim nga pushteti dhe duke eliminuar armët e shkatërrimit në masë.”

“Nëse fillon konflikti,” tha zoti Powell, “synimi do të jetë përmbysja e këtij regjimi pasi nuk është e mundur të merresh me të. Shtetet e Bashkuara do ta rrëzonin këtë regjim në mënyrë që të asgjësonin armët e shkatërrimit në masë.”

Shtetet e Bashkuara besojnë se populli irakian meriton një qeveri përfaqësuese që të respektojë të drejtat, dëshirat dhe aspiratat e tyre. Një qeveri që nuk prodhon armë të shkatërrimit në masë. Një qeveri që do të përdorte pasurinë e rezervave të naftës në Irak për të arsimuar dhe për t’i ofruar kujdes mjeksor popullit irakian. “Kjo do të ishte përgjegjësia që do të merrnim ne përsipër,” tha sekretari Powell. “Ne do të përpiqeshim të ndihmonim Irakun të hynte në një rrugë që e çon drejt paqes, bashkëjetesës paqësore me fqinjët, në mënyrë që ky vend të mos jetë më kërcënim për askënd në botë.”

Siç është shprehur zoti Powell, “nëse Iraku tani, në kushtet e trysnisë që po përjeton, vendos të bashkëpunojë dhe të asgjësojë armët e shkatërrimit në masë, Bagdati faktikisht do të ndryshonte qëndrim. Ky do të përbënte ndryshim regjimi dhe për këtë arsye do të ishte e panevojshme ndërhyrja ushtarake për ndryshimin e regjimit. ... Fillimi ose jo i luftës është në duart e Sadam Huseinit.” //ad//

XS
SM
MD
LG