Lidhje

Bashkimi Evropian - kjo punë e vështirë! - 2002-12-19


Bashkimi Evropian është rajoni më i integruar në botë, me kufij të hapur, me një treg e monedhë të përbashkët. Por, tani që Bashkimi Evropian po zgjerohet edhe me 10 vende të tjera, shumica ish vende komuniste, po ngrihen dyshime se a mund të funksionojë organizata me efektshmëri dhe nëse mund të integrohet ekonomikisht, sa ç’është politikisht. Ndërkohë që rajone të tjera janë të interesuara të kopjojnë modelin e Bashkimit Evropian, Evropa po shqyrton vetveten për të gjetur se si mund dhe duhet të jetë një bashkim rajonal.

Analistët dhe politikanët mendojnë se Bashkimi Evropian ndodhet në udhëkryq. Në më pak se një 1 vit e gjysëm, ai do të ketë në gjirin e tij 25 vende. Tashti, thotë kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, është koha për ta forcuar më tej Bashkimin, për të reformuar institucionet e tij në mënyrë që të lehtësohet procesi i marrjes së vendimeve, të përmirësohet integrimi ekonomik dhe të flitet me një zë të vetëm në politikën e jashtme.

Por kjo nuk është e lehtë. Një komision mbi të ardhmen e Evropës, i kryesuar nga ish-presidenti francez, Valery Giscard D’Estaing, po përpiqet të përpilojë një projekt-kushtetutë të përbashkët për të 25 vendet deri qershorin e ardhshëm. Por nuk ekziston një mendim i përbashkët se çfarë Evrope kërkojnë shtetet-anëtare dhe qytetarët e tyre.

Analisti Kirsty Hughes i Qendrës për Studimet e Politikës Evropiane në Bruksel, thotë se përsa i përket strukturës Bashkimi do të jetë diçka ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkura, dhe të ruash efektivitetin me një strukturë të tillë, thotë analisti, është e vështirë.

Debati kryesor brenda komisionit do të jetë ndërmjet përkrahësve të federalizmit, që duan që vendimet të merren për mbarë Bashkimin me shumicë votash, dhe atyre që duan që qeveritë e shteteve të veçanta të kenë të drejtën e fjalës së fundit për çështje të tilla si politikat fiskale, kontrolli mbi imigracionin dhe veçanërisht politika e jashtme.

Analisti Steven Everts i Qendrës për Reformën Evropiane në Londër, thotë se është e një rëndësie të ngutshme që Bashkimi Evropian të flasë me një zë të vetëm në çështjet kryesore ndërkombëtare. ”Po qe se vendet evropiane duan të luajnë një rol me rëndësi në botë, po qe se roli i Evropës nuk do të jetë vetëm ndjekja e propozimeve amerikane, qofshin ato të mira e të këqia, atëherë e vetmja rrugë për të mbrojtur interesat dhe vlerat tona është të dalim me një zë”.

Po cila do të ishte një politikë e unifikuar e Bashkimit ndaj Rusisë, Ukrainës, Lindjes së Mesme, Afrikës së Veriut etj. Për ta ndërlikuar edhe më tej çështjen, të gjitha këto rajone lidhen ngushtësisht edhe me problemin e imigracionit. Vendet e Bashkimit Evropian kanë ndërmarrë masa për të bashkërenduar më nga afër politikat e tyre të imigracionit dhe për forcimin e kontrollit të kufijve. Lufta kundër krimit, shtypja e veprimtarive të mundshme terroriste dhe pengimi i hyrjes së imigrantëve gëzojnë mbështetje të gjerë në mbarë Evropën dhe diplomatët thonë se këto janë fusha ku vendet anëtare kanë mundësi të synojnë për harmonizimin e politikave të tyre.

Ndërkohë, pas vendimit për të pranuar 10 vende të reja anëtare, presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi, thotë se Evropa po pret që vendet e Ballkanit të bëjnë përparimet e duhura për t’u anëtarësuar edhe ato. “Evropa duhet të fillojë tani një debat të vërtetë mbi kufijtë e saj dhe për marrëdhëniet me fqinjët tanë. Ku shtrihen kufijtë e Evropës, janë evropianët ata që duhet ta diskutojnë dhe vendosin".

Kjo thënie që, me nënkuptim, i referohet trysnisë së Amerikës për të pranuar Turqinë, aleatin e saj strategjik në Bashkim, pasqyron ndjesinë tek shumë evropianë se zgjerimi i organizatës me vende të reja është jashtë kontrollit.

Kështu në të ardhmen e afërt Bashkimit Evropian do t’i duhet të merret me dy probleme kryesore: sa duhet të integrohen vendet-anëtare dhe sa duhet të shtrihet organizata. //az//

XS
SM
MD
LG