Lidhje

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mos e vënë theksin tek politika e konfrontimit me Korenë e Veriut - 2002-12-31


Shtetet e Bashkuara vazhduan dje të mos e vënë theksin tek politika e konfrontimit me Korenë e Veriut, lidhur me hapat e reja të këtij vendi komunist në fushën bërthamore. Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Bush do të dërgohet në Korenë e Jugut, Japoni e ndoshta edhe në disa vende të tjera aziatike, jo më vonë se javën e ardhshme, në një përpjekje për të bashkërenduar politikën ndërmjet aleatëve.

Zyrtarë amerikanë thonë se Shtetet e Bashkuara nuk po shqyrtojnë as ndonjë operacion ushtarak dhe as sanksione të reja ekonomike kundër Koresë së Veriut, por po theksojnë më tepër përfitimet e shumta që do të kishte qeveria e Phenianit, sikur të hiqte dorë nga vendimet e saj të fundit lidhur me programet bërthamore.

Duke i bërë jehonë tonit të butë të përdorur nga Sekretari i Shtetit, Colin Powell, gjatë intervistave të tij televizive të së dielës, zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë e të Departamentit të Shtetit, thanë se komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm ta ndihmojë këtë vend të varfër aziatik, por Koreja e Veriut nuk do të gëzojë asnjë nga këto përfitime derisa të rikthehet në përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Në një konferencë shtypi, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Filip Rijkër, tha se qeveria tashmë e mbyllur e Koresë së Veriut, e izoloi edhe më shumë veten me hapat e saj të fundit bërthamore, por nuk e ka kaluar akoma cakun nga nuk mund të kthehet më mbrapa në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, apo me fqinjët e saj të rajonit.

“Koreja e Veriut e vuri vetë veten në këtë pozitë. Koreja e Veriut mund të ndryshojë kurs dhe të dalë nga kjo gjendje. Atyre nuk u mungon forca për ta bërë këtë. Ata do të kenë përfitime po të mos shkëputen dhe të bashkëpunojnë pozitivisht me komunitetin ndërkombëtar. Dhe ne e kemi parë se vende të tilla si Japonia ishin të gatshme t’i jepnin ndihma të mëdha ekonomike Koresë së Veriut. Koreja e Jugut ishte përgatitur dhe i kishte përqendruar përpjekjet për një përmirësim të ndjeshëm të marrëdhënieve të ndërsjella. Shtetet e Bashkuara duke ndjekur politikën e presidentit Bush, ishin përgatitur për një dialog të guximshëm, qëllimi i të cilit ishte përmirësimi i marrëdhënieve me Korenë e Veriut."

Administrata e presidentit Bush thotë se ishte duke përgatitur një nismë të gjithanshme për përmirësimin e marrëdhënieve me Phenianin verën e kaluar. Por në të njëjtën kohë zbulimi i Shteteve të Bashkuara filloi të kapë shenja që tregonin se Koreja e Veriut ishte duke pasuruar uranium, në kundërshtim me detyrimet e saj ndërkombëtare, përfshirë edhe marrëveshjen e arritur me Shtetet e Bashkuara në vitin 1994.

Koreja e Veriut e pranoi ekzistencën e projektit në tetor, gjatë një vizite që bëri në Phenian Ndihmës-Sekretari i Shtetit, James Kelly, zyrtari më i lartë i administratës së presidentit Bush që vizitonte Korenë e Veriut në një mision të këtij lloji.

Zyrtarët thonë se gjatë turneut të tij aziatik të javës së ardhshme, zoti Kelly do të vizitojë Seulin dhe Tokion, ndoshta edhe disa kryeqytete të tjera aziatike, për të diskutuar lidhur me keqësimin e gjendjes, duke përfshirë edhe vendimin e javës së fundit të Koresë së Veriut për të dëbuar inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Javën e ardhshme Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike do të raportojë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili mund të vendosë sanksione kundër Koresë së Veriut, por dje zyrtarë të administratës nuk thanë në se Shtetet e Bashkuara do t’i mbështesnin masa të tilla.

Të dielën në intervistat e tij televizive, Sekretari i Shtetit, Colin Powell, nuk i kushtoi rëndësi krizës lidhur me Korenë e Veriut dhe u tërhoq nga një kërcënim i administratës së presidentit Klinton lidhur me përdorimin e forcës për të mos e lejuar Korenë e Veriut që ta shtojë arsenalin e saj prej ndoshta një apo dy armësh bërthamore.

Zoti Powell tha se gjendja e tanishme kërkon durim dhe se do të zgjidhet brenda disa javësh ose muajsh.

//ze//

XS
SM
MD
LG