Lidhje

Një tjetër sulm në Jemen - 2003-01-06


Hetues amerikanë, së bashku me autoritetet e Jemenit po përpiqen të gjejnë personat përgjegjës për vrasjen e tre misionarëve amerikanë në një spital Baptist, në qytetin Jibla, në jug të Jemenit.

Më 29 dhjetor, një person i armatosur, kaloi rojet e sigurimit në spitalin e qytetit Jibla dhe hyri në një dhomë, ku drejtori, William Koehn, po zhvillonte një takim. Personi i armatosur qëlloi dhe vrau zotin Koehn, doktoreshën Martha Myers, si edhe nëpunësen e spitalit, Kathleen Gariety. Pastaj ai u vërsul në infermerinë e spitalit dhe plagosi rëndë farmacistin, Donald Caswell.

30-vjeçari Abed Abdul Razak Kamel, mbahet nën arrest për vrasjet. Ndërkohë vazhdojnë kërkimet për bashkëpunëtorë të mundshëm.

Jemeni është vendi i shumë anëtarëve dhe simpatizuesve të al-Qaidës, grupi përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara. Jemeni ka qenë gjithashtu vendi, ku al-Qaida kreu sulmin kundër destrojerit amerikan U.S.S. Cole, më 12 tetor të vitit 2000. Një barkë e vogël e mbushur me lëndë shpërthyese u përplas në anë të destrojerit dhe shpërtheu duke vrarë 17 marinarë amerikanë dhe duke plagosur 39 të tjerë.

Autoritetet jemenase thonë se janë duke punuar me Shtetet e Bashkuara për të çrrënjosur terroristët. Në Jemen organet e ruajtjes së rendit janë vënë në ndjekje të operativëve të al-Qaidës dhe kanë arrestuar disa prej tyre. Qeveria ka mbyllur shkollat ekstremiste myslimane dhe ka vënë nën kontrollin e saj të drejtpërdrejtë qindra shkolla të tjera. Studentë të huaj në shkolla fetare të pavarura janë vënë nën kontroll. Shumë prej tyre janë dëbuar. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar kurse stërvitore lidhur me teknikat e kundërterrorizmit për forcat jemenase të sigurimit.

Nuk mund të ketë justifikim për sulmin e urryer në spitalin e qytetit Jibla, një institucion shërbimesh jetike humanitare për popullin e Jemenit. Në këtë spital me 80 shtretër mjekohen falas më se 40 mijë banorë të varfër të Jemenit, çdo vit. Amerikanët që u sulmuan ishin përkushtuar t’i shërbenin popullit të Jemenit. Siç i tha një mik i zonjës Gariety, agjencisë së lajmeve Associated Press, “Dashuria e saj për popullin e Jemenit, ishte më e madhe sesa kujdesi për veten e saj.”

Qeveria e Jemenit, si edhe të gjitha partitë politike të vendit, e kanë dënuar publikisht këtë krim dhe po bëjnë thirrje për të nxjerrë para organeve të drejtësisë personat përgjegjës.

Përsa u përket Shteteve të Bashkuara, presidenti George Bush tha se “Ne e dënojmë dhe na vjen keq për vrasjen e tre amerikanëve, të cilët i jepnin ndihmë humanitare popullit të Jemenit. Qëllimi ynë është të nxjerrim para organeve të drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për këto vrasje.”

//rd//

XS
SM
MD
LG