Lidhje

Ndihma amerikane, tani në bazë të përparimit, jo premtimeve - 2003-01-08


Në një raport të ri të qeverisë amerikane thuhet se programet e ndihmave për vendet e tjera duhet të hartohen në mënyrë të tillë që të mbrojnë interesat kombëtare amerikane dhe t’u japin shtysë lirisë, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik në gjithë botën. Në raportin që u bë publik të martën nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, pasqyrohen pikëpamjet e administratës së Presidentit Bush mbi rishikimin që Shtetet e Bashkuara duhet t’i bëjnë mënyrës së shpenzimit të miliarda dollarëve në formë ndihmash të huaja për çdo vit.

Administratori i agjencisë, Andrew Natsios thotë se ka ardhur koha që të shpërblehen vendet që mbështesin reformat demokratike dhe ekonomike dhe jo ato me qeveri të korruptuara dhe autokratike.

“Dobësimi dhe ndonjëherë shkatërrimi i shtetit ligjor, është problemi më urgjent dhe më i thellë. Korrupsioni i përhapur tek qeveritë, udhëheqësit e partive, gjyqtarët dhe administrata publike është problemi që i largon më shumë shtetasit nga udhëheqësit e tyre politikë dhe institucionet, që minon stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik. Sa më i përhapur të jetë korrupsioni, aq më shumë ka mundësi të shoqërohet nga dukuri të tjera serioze në shtetin ligjor si kontrabanda, trafiku njerëzor, tregëtia e drogës, dhuna kriminale, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe personalizimi i pushtetit”, thotë zoti Natsios.

Ai shton se në të kaluarën ndihma amerikane përcaktohej duke u nisur nga premtimet e udhëheqësve të huaj. Tani, thotë zoti Natsios, këta udhëheqës duhet të tregojnë përparim të vërtetë para se vendet e tyre të marrin ndihmë financiare.

”Ky nuk është kushtëzim, është një ndryshim i madh. Kushtëzim do të thotë që dikush bie dakord të bëjë reforma dhe ne i japim para, nëse i realizon ndryshimet. Në gjysmën e rasteve, në shumicën e rasteve, paratë jepen dhe ndryshimet nuk bëhen. Ne nuk e bëjmë më një gjë të tillë, sepse nuk funksionon. Ishte një mënyrë e dështuar”, thotë zoti Natsios.

Larry Wortzel, zëvendëspresidenti i fondacionit konservator “Heritage”, thotë se ndërsa konservatorët amerikanë kanë kritikuar mënyrën se si janë shpenzuar në të kaluarën ndihmat amerikane, ata e mirëpritën idenë që ndihmat tani të bëhen një mjet kyç i politikës së jashtme.

“Mendoj se dokumenti përcakton, një ndryshim filozofie në programet e huaja amerikane të ndihmës. Është hartuar në mënyrë të tillë që të bëjë të mundur që ndihma të shërbejë si një mjet për të mbështetur përparësitë kombëtare të Amerikës. Me anë të tij i jepet shtysë demokracisë, ekonomive të tregut, transparencës, ndjenjës së përgjegjësisë dhe shtetit ligjor”, thotë zoti Wortzel.

Vitin e kaluar, Presidenti Bush paraqiti Strategjinë e tij për Siguri Kombëtare. Për herë të parë ndihma e huaj ishte bërë shtylla e tretë për sigurinë kombëtare amerikane, përkrah mbrojtjes dhe demokracisë.

Presidenti Bush është zotuar ta rrisë ndihmën e huaj nga 10 miliardë dollarë në vit që është aktualisht në 15 miliardë deri në vitin 2006, duke u mbështetur në politikën, sipas së cilës vendet që qeverisin me drejtësi, që investojnë tek njerëzit e tyre dhe që nxisin lirinë ekonomike do të marrin më shumë ndihma financiare nga Shtetet e Bashkuara. //kk//

XS
SM
MD
LG