Lidhje

Shtëpia e Bardhë: ndihmat mund të rifillojnë nëse Korea e Veriut ndryshon qëndrim - 2003-01-13


Administrata e presidentit Bush thotë se ndihmat energjetike për Korenë e Veriut mund të fillojnë sërish, sapo Pheniani të heqë dorë nga programi nërthamor. Mirëpo, Shtëpia e Bardhë mohon njoftimet se ka ofruar të bëjë ndonjë lëshim, dhe thekson se asgjë nuk do të ndodh në qoftë se Korea e Veriut nuk përmbush detyrimet e saj ndërkombëtare.

Ndihmat energjetike për Korenë e Veriut u ndërprenë vitin e kaluar, pasi zyrtarët amerikanë thanë se Pheniani kishte pranuar se nuk ka mbajtur premtimin për të ndaluar programin e vet bërthamor. Në komentet që bëri dje në Seul, ndihmës-sekretari amerikan i shtetit James Kelly tha se dhënia e ndihmave mund të fillojnë sërish, nëse Korea e Veriut ndryshon qëndrimin e saj.

“Sapo të jetë zgjidhur çështja e programeve bërthamore, tha ndihmës-sekretari Kelly, atëherë mund të krijohen mundësi për ta ndihmuar Korenë e Veriut në fushën e energjetikes si nga Shtetet e Bashkuara, apo investitorët privat dhe vendet e tjera.”

Deklarata e zotit Kelly dukej si një zbutje e qëndrimit të mëparshëm amerikan. Mirëpo, i pyetur rreth këtyre komenteve, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer mohoi të ketë ndonjë ndryshim në politikën amerikane dhe për këtë ai përmendi përmbajtjen e deklaratës së përbashkët të 7 janarit të nënshkruar në Washington nga Japonia, Korea e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara. Në deklaratë thuhet se marrëdhëniet me Phenianin mund të kthehen në një rrugë më të favorshëm nëse Korea e Veriut eliminon programin e saj të armëve bërthamore.

“Mendoj se komentet që ju keni dëgjuar janë vetëm një formulim tjetër i të njejtit mendim për të cilin u ra darkord më 7 janar. Nuk mendoj se ka diçka të re në këtë deklaratë. Mendoj, se komentet përbajnë një shprehje që i referohet më drejtëpërdrejtë çështjes së ndihmave energjetike, se sa ndonjë kthimi në një rrugë më të favorshëm që do të çonte në përmirësimin e marrëdhënieve."

Në atë deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara u zotuan se janë të gatshme të bisedojnë me Korenë e Veriut mbi mënyrat më të mira për të eliminuar programin e saj të armëve bërthamore, që Pheniani të rrespektojë sërish detyrimet e veta për sa i përket çështjeve bërthamore. Zëdhënësi Fleischer këmbënguli se i mbetet Koresë së Veriut të pranojë apo jo këtë ftesë, dhe të dëshmojë se është e gatshme të mbajë premtimet e veta.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se çdo eliminim i programit bërthamor të Koresë së Veriut duhet të jetë i pakthyeshëm dhe i ferifikueshëm. Në bazë të një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara në vitin 1994, Pheniani ra dakord që të ndërpriste programet e tij bërthamorë në shkëmbim të ndihmave energjetike.

Mirëpo, në muajin tetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan se Korea e Veriut kishte shkelur këtë marrëveshje. Pasi ndihmat energjetike u pezulluan, Pheniani bëri të ditur se po rifillonte punën në uzinat bërthamore dhe dëboi inspektorët e OKB-së. Javën e kaluar, Korea Veriore u tërhoq edhe nga traktati ndërkombëtar për mos-përhapjen e armëve bërthamore dhe më pas njoftoi se mund të rifillojë edhe provat me raketat balistike.

//ze//

XS
SM
MD
LG