Lidhje

Shtetet e Bashkuara intensifikojnë përpjekjet diplomatike mbi cështjen e Irakut - 2003-01-20


Shtetet e Bashkuara intensifikuan dje përpjekjet diplomatike për të bindur ato vende që kanë shfaqur skepticizëm që të pranojnë atë që Washingtoni e quan si dështim të Irakut për të bashkëpunuar plotësisht me rezolutën e Kombeve të Bashkuara për çarmatim, që u miratua nëntorin e kaluar. Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell luajti rolin drejtues në këto përpjekje me bisedimet e tij në Kombet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, David Gollust njofton.

Sekretari Powell mori pjesë bashkë me ministrat e tjerë të jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në një takim për terrorizmin të organizuar nga Franca. Por çështja e Irakut mbizotëroi në mbledhje, dhe Sekretari Powell theksoi me forcë se mungesa e bashkëpunimit të Irakut me inspektorët e OKB-së përbën praktikisht shkelje të rezolutës, e cila i dha Bagdadit një shans të fundit për të shmangur ndërhyrjen ushtarake.

Në komentet e tij, zoti Powell paralajmëroi Këshillin e Sigurimit që të mos tërhiqet nga përgjegjësitë e tij kur inspektorët të paraqesin raportin e tyre zyrtar të hënën e ardhshme, duke thënë se ky organizëm nuk duhet t’i lejojë vetes ”të rrijë në vend i pafuqishëm”, siç tha ai, për shkak të frikës ndaj vendimeve të vështira që e presin përpara.

Ai përdori një ton pak a shumë të njëjtë më pas në një takim me gazetarët, duke thënë se nëse Kombet e Bashkuara do të jenë një organizatë me peshë, ato duhet të mbajnë një qëndrim të vendosur përsa i takon ”shpërfilljes së vazhdueshme” të Irakut ndaj detyrimeve të tij, në bazë të rezolutës 1441 të nëntorit të kaluar dhe rezolutave të mëparshme.

“Nëse Iraku po çarmatoset, mund të ketë një zgjidhje pa konflikt të krizës. Por nëse Iraku nuk çarmatoset, Kombet e Bashkuara nuk mund të kthejnë kokën nga ana tjetër dhe të injorojnë këtë mungesë respekti të Irakut ndaj OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar. Dhe ne nuk duhet të kemi frikë të përballemi me sfidat që na presin”.

Ministri i jashtëm britanik, Jack Straw e përkrahu zotin Powell. Ai tha se qeveria e tij e mbështet një zgjidhje paqësore të krizës, por shtoi se vjen një moment, kur durimit i vjen fundi dhe siç tha ai ”ne jemi tani pranë kësaj pike me Irakun”.

“Koha nuk pret më dhe Iraku duhet t’i japë fund kësaj loje”, tha zoti Straw.

Por pati gjithashtu edhe këshillime për përmbajtje. Kina kërkoi që inspektorëve të Kombeve të Bashkuara për armët t’u jepet më shumë kohë për të kontrolluar për armë të shkatërrimit në masë në Irak, ndërsa Gjermania hodhi poshtë prerë idenë për ndërhyrje ushtarake, duke thënë se do të kishte ”pasoja katastrofike” për Lindjen e Mesme dhe ”ndikim negativ” tek lufta globale kundër terrorizmit.

Në një fjalim para rezervistëve dje në Washington, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld tha se ”po i afrohemi fundit të një rruge të gjatë” dhe procesi i inspektimeve nuk duhet të lejohet të zvarritet.

“Askush nuk e do luftën, por siç ka thënë Presidenti Bush, Iraku do të çarmatoset dhe vendimi nëse do të ketë paqe, ose luftë nuk do të merret as në Washington dhe as në New York në Kombet e Bashkuara, por në Bagdad”, tha zoti Rumsfeld.

Ai tha se një numër i konsiderueshëm vendesh janë angazhuar tashmë që të marrin pjesë në një koalicion të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër Irakut, në rast të një lufte dhe se ideja që Shteteve të Bashkuara do t’u duhet të shkojnë të vetme në një konflikt të tillë, është e pakuptimtë. Ai tha gjithashtu se do të ishte e mrekullueshme nëse Saddam Husseini e zhdukte vetë krizën, duke shkuar vullnetarisht në mërgim.

//ze//

XS
SM
MD
LG