Lidhje

Çarmatosja e Irakut - 2003-01-21


Për më shumë se një dekadë, Sadam Huseni është munduar që të mashtrojë dhe të sfidojë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Regjimi irakian ka vazhduar të ndërtojë armë kimike, biologjike, bërthamore si dhe raketa me rreze të gjatë veprimi.

Sadam Huseni gjithashtu ka vazhduar të ushtrojë dhunë ndaj popullit irakian. Në fund të viteve 80-të, Sadami organizoi një sulm në shkallë të gjerë me armë kimike ndaj pakicës kurde në Irak. Mijëra veta u vranë. Kundërshtarët politikë janë burgosur dhe torturuar me rrahje, me shok elektrik, duke i lënë pa ngrënë, duke i gjymtuar dhe përdhunuar. Shumë janë pushkatuar. Në vitin 1993 Iraku u përpoq të vriste Emirin e Kuvajtit dhe presidentin George Bush.

Në të paktën 10 raste, forcat ushtarake të Sadam Husenit, kanë sulmuar me gaz helmues dhe nervor trupat kurde dhe iraniane duke përdorur raketat dhe artilerinë. Iraku ka pranuar prodhimin e disa dhjetra mijëra litrave antraks si dhe agjentëve të tjerë biologjikë për t’i përdorur si mbushje në raketat skud me rreze të gjatë veprimi, mbushje bërthamore, bomba si dhe në aeroplanët spërkatës.

Sadam Huseni i dëboi inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët në vitin 1998, por tani ata janë rikthyer përsëri në Irak. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar përsëri Irakut që të heqë dorë nga armët e shkatërrimit në masë. Kjo do të thotë që Iraku të bëjë të ditur të gjitha informacionet e kërkuara për të treguar kështu se ka hequr dorë nga mashtrimet e dekadës së kaluar.

Sadam Huseni ka për detyrë që të çarmatoset. Por Sadami është një njeri që ka qejf të bëjë lojra. Tani, tha presidenti Bush, loja ka marrë fund. Sadam Huseni ose do të çarmatoset plotësisht vetë nga armët e shkatërrimit në masë, ose në se ai nuk e bën këtë, Amerika do të vihet në krye të një koalicioni për ta çarmatosur.

XS
SM
MD
LG