Ndërkohë që përqendrimi i vëmendjes së administratës së presidentit Bush ndaj armëve të shkatërrimit në masë të Irakut e ka larguar disi vemendjen nga problemi që ka shkaktuar programi i Koresë së Veriut për armët bërthamore, zyrtarët amerikanë kanë theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i përgjigjen çdo lloj veprimi armiqësor nga Koreja e Veriut.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, deklaroi të enjten se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për çdo skenar që mund të shkaktohet nga Koreja e Veriut. Megjithatë disa analistë shprehin shqetesimin se Pheniani po mundohet të shfrytëzojë për interes të vet krizën me Irakun.
Ditën kur bota e kishte përqendruar vëmendjen tek paraqitja e fakteve para Kombeve të Bashkuara nga Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, se Iraku po i fsheh armët e shkatërimit në masë, Koreja e Veriut njoftoi se do të rivërë në funksionim reaktorin bërthamor në Yongbion.
Centrali bërthamor ishte çaktivizuar në bazë të një marrëveshje të vitit 1994 me Shtetet e Bashkuara që synonte ndalimin e programit bërthamor koreanoverior. Ndërkohë, Koreja e Veriut thotë se Yongbion po vihet në punë për të prodhuar energji elektrike. Por Washingtoni dyshon se Pheniani po mundohet të prodhojë plutonium të cilësisë që përdoret për armët bërthamore.
Disa analistë thonë se Koreja e Veriut është e shqetësuar se do të vihet në shënjestër nga Amerika pas përfundimit të krizës me Irakun. Analisti Gordon Flake, thotë se Pheniani po mundohet ta shfrytëzojë në maksimum kohën deri në fillim të një sulmi ndaj Irakut. “Për Korenë e Veriut, koha më e përshtatshme për këtë është para një lufte në Irak, ose edhe ditët e para të luftës. Për shembull nëse dikush mendon se Koreja e Veriut synon të shtjerë në dorë armë bërthamore dhe ta shpallë veten si vend me armë bethamore, koha ideale për ta bërë këtë do të ishin ditët e para të ndonjë lufte në Irak”, thotë zoti Flake.
Ai shton se çdo përpjekje e administratës së presidentit Bush për të shuar krizën me Korenë e Veriut e bën Phenianin më të guximshëm për të provokuar edhe më tej një krizë.
Shtetet e Bashkuara thonë se janë të gatshme të bisedojë me Korenë e Veriut, por ajo më parë duhet ta ndryshojë kursin dhe të ndalojë programin bërthamor. Nga ana e tij Pheniani i kërkon Washingtonit që të nënshkruajë një traktat jo-agresioni, por Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë këtë kërkesë duke thënë se nuk kanë ndërmend të sulmojnë Korenë e Veriut.
Bill Drenan, zëvendës drejtor i Institutit Amerikan të Paqes, specialist për Korenë e Veriut thotë se Pheniani po e shfrytëzon situatën me Irakun për të zhvilluar aftësitë e saj bërthamore.
”Ata po luajnë një lojë mjaft të rrezikshme duke provokuar superfuqinë e vetme të botës, në atë lloj mënyre që i kërcënon interesat jetike Shteteve të Bashkuara. Një Phenian me armë bërthamore do të ishte një kërcënim i qartë dhe do të vinte në rrezik interesat amerikane. Koreja e Veriut nuk duhet të mendojë se përqëndrimi amerikan në situatën me Irakun do t’i ulte aftësitë për t’u marrë me një sfidë të filluar nga Koreja e Veriut, sepse nëse është e domosdoshme ne do t’i përdorim mjetet e duhura”, thotë zoti Drenan.
Por askush nuk e dëshiron një luftë në gadishullin korean, shton ai duke theksuar se Sekretari amerikan i Mbrojtjes ka shprehur bindjen se Shtetet e Bashkuara e kanë mundësinë për të bërë atë që kërkohet për të mbrojtur interesat amerikane, përfshirë këtu edhe veprimet ushtarake në dy rajone të ndryshme të botës në të njëjtën kohë. //kk//