Lidhje

Amerikanët e humbur në luftë - 2003-02-18


Një nga fatet më të tmerrshme për një ushtar, është të konsiderohet i humbur në betejë. Amerikanët e vrarë në luftë, vdesin të garantuar se do të bëhen të gjitha përpjekjet që të gjendet trupi i tyre që të varroset me të gjitha nderimet e nevojshme, se familjet e tyre do të njoftohen për vdekjen e tyre dhe se sakrifica e tyre do të kujtohet me mirënjohje nga populli amerikan. Të burgosurit amerikanë të luftës e dinin se bashkëkombasit e tyre nuk do të pushonin asnjë moment derisa t’i lironin. Por fati i të humburve amerikanë në betejë përbën një detyrim të veçantë për Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara janë të detyruara ligjërisht dhe moralisht të mbajnë përgjegjësi për çdo amerikan që konsiderohet i hunbur në betejë në konflikte të armatosura. Nëse është e mundur, trupat e të humburve vdekja e të cilëve është konfirmuar, duhet të gjenden dhe të varrosen me nderime. Dhe përsa kohë të ekzistojë mundësia që ushtarët amerikanë të jenë ende gjallë, Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë çdo përpjekje që t’i gjejnë dhe t’i sjellin në vendin e tyre.

Për këtë qëllim në vitin 2000, Kongresi amerikan miratoi Ligjin “t’i sjellim gjallë në shtëpi”. Mbi 8 mijë amerikanë figurojnë ende të humbur nga Lufta Koreane dhe për rreth 2 mijë që morën pjesë në Luftën e Vietnamit nuk ka asnjë informacion. Sipas ligjit, i jepet strehim politik “çdo shtetasi të Vietnamit, Kamboxhës, Laosit, Kinës, Koresë së Veriut, apo shteteve të pavarura të ish-Bashkimit Sovjetik, që i dorëzon personalisht qeverisë së Shteteve të Bashkuara një ushtar amerikan të gjallë”, që figuron si i humbur në luftën koreane, ose atë të Vietnamit. Ligji siguron gjithashtu strehim politik për familjet e atyre që ndihmojnë ushtarët amerikanë të kontaktojnë autoritetet e Shteteve të Bashkuara.

Që nga fundi i luftës në Vietnam në vitin 1975, sipas njoftimeve janë parë ushtarë amerikanë që mbahen në Azinë Juglindore. Por deri tani njoftime të tilla nuk janë konfirmuar.

Gjithkush që ka informacione për amerikanë që figurojnë të humbur në luftë duhet të kontaktojë autoritetet amerikane. //kk//

XS
SM
MD
LG