Lidhje

Sekretari amerikan i Shtetit komenton mbi Irakun - 2003-02-21


Inspektorët e armëve u kthyen në Irak, në përputhje me rezolutën 14-41 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Tani, nevojitet që regjimi irakian të bashkëpunojë plotësisht, në mënyrë aktive dhe pa kushte, me inspektorët. Por kjo nuk po ndodh.

Iraku nuk ka dorëzuar dokumentet e nevojshme dhe të verifikueshme për armët të shkatërrimit në masë. Iraku nuk ka bërë të njohur në mënyrë të verifikueshme në se zotëron antrax, apo armë kimike. “Këto nuk janë çështje të vogla”, -tha Sekretari amerikan i Shtetit Kolin Pauell.- “Ne nuk kemi patur në duar një deklaratë të plotë dhe të saktë në lidhje me këtë çështje”. Zoti Pauell theksoi se, “ende nuk ka ndryshim në mënyrën e të menduarit nga ana e regjimit irakian. Sado intensiv që të zhvillohet procesi i inpektimeve, në se Iraku nuk bashkëpunon, në se ai nuk vepron në përputhje me rezolutat, nuk do të mund të realizohet çarmatimi i tij”, tha zoti Powell.

Sekretari amerikan i Shtetit Kolin Pauell tha se “Ne duhet të vazhdojmë të ushtrojmë trysni ndaj Irakut, që të sigurohemi se do të largohet kërcënimi i forcës. Thelbi i rezolutës 14-41 është zbatimi dhe jo inspektimi. Inspektimet u futën në rezolutë si një element që t’i vinin në ndihmë Irakut, që ky të bashkëpunonte me inspektorët e armëve në procesin e verifikimit dhe vëzhgimit.”

“Forca, -tha zoti Pauell, -duhet të jetë gjithmonë mjeti i fundit. Arsyeja përse ne nuk duhet të heqim dorë prej saj, është për arsye të arsenalit që disponon Iraku. Këto janë armë të tmerrshme, të cilat nuk do të vrasin një numër të vogël njerëzish, dhe këtu nuk është fjala vetëm për një qind, as për një mijë vetë, por ato mund të shkaktojnë vdekjen e dhjetra mijëra vetëve, në se bien në duar të gabuara.”

Rezoluta 14-41 e OKB-së kërkon çarmatimin e Irakut. Rezoluta nuk parashikon një proces të pafund inspektimesh, pa zgjidhur problemin kryesor. Iraku duhet të çarmatoset. Siç u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit Kolin Pauell, “Çështja e luftës dhe paqes varet tërësisht nga Sadam Huseini dhe regjimi irakian”.// lk //

XS
SM
MD
LG