Lidhje

Renditje e re e forcave në politikën serbe - 2003-03-07


Ndërsa parlamenti i ri i Serbisë dhe Malit të Zi zhvillon këtë javë sesionin e vet të parë, ish-presidenti Vojisllav Koshtunica ka mbetur jashtë loje dhe pushtetin e ka marrë tani rivali i tij, kryeministri serb Zoran Xhinxhiç. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Barry Wood na njeh me renditjen e re të forcave në politikën serbe.

Në zgjedhjet presidenciale që u zhvilluan dy herë gjatë katër muajve e fundit të vitit 2002, Vojisllav Koshtunica mundi të sigurojë më tepër vota se rivalët e tij. Por këto zgjedhje u shpallën të pavlefshme për arsye se rezultati i tyre nuk mundi të kapë shifrën 50 për qind, që kërkohej sipas kushtetutës së periudhës së Sllobodan Millosheviçit. Tani Jugosllavia është zëvendësuar nga federata e re e Serbisë dhe Malit të Zi, ku të dyja ish-republikat jugosllave gëzojnë autonomi të madhe. Zoti Koshtunica, aktualisht ndodhet në një labirinth politik, dhe ai nuk ka më asnjë post.

Sonja Biserko është analiste për problemet politike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Beograd.

”Tani për tani Koshtunica ka mbetur jashtë lojës politike. Por kjo nuk do të thotë se ai nuk do të rishfaqet përsëri në politikë. Kjo për faktin se ai përfaqëson një bllok, i cili po ta thuash hapur, është kundër reformës dhe simbolizon nacionalistët serbë; fatkeqësisht, vetëm disa ditë pasi u bë e qartë se Koshtunica kishte dalë nga jeta politike, rivali i tij Xhinxhiq ka përqafuar të njëjtën retorikë.”

Zoti Xhinxhiq kohët e fundit ka nxitur qëndrimet nacionaliste ndaj Kosovës dhe Republikës serbe të Bosnjes, që më parë i mbronte zoti Koshtunica. Analistja Biserko nuk është dakord me këto politika dhe thotë se përqafimi i idesë për ndarjen e Kosovës nga ana e zotit Xhinxhiq, i ndezin edhe më tej debatet politike në të gjithë rajonin.

Gazetari nga Beogradi dhe analisti për problemet ushtarake, Daniel Sunter, thotë se shpërbërja e Jugosllavisë dhe dalja e zotit Koshtunica nga skena politike, pasqyron një ushtri jugosllave të parefomuar, që përbën sfidën më të rëndësishme. Megjithëse gjatë revolucionit të tetorit të viti 2 mijë, ushtria, nga besnike e Sllobodan Millosheviçit u shndërrua në besnike të zotit Koshtunica, sugjerimet për t’u pakësuar në numër dhe për t’u vënë nën kontrollin civil nuk u vunë në zbatim. Megjithatë, Sunter është i mendimit se ushtria jugosllave do të riorganizohet.

”Mendoj se aktualisht ushtria jugosllave e kupton se e ardhmja e saj varet nga institucionet e sigurisë në Evropë, si NATO, dhe udhëheqësit e Serbisë dhe Malit të Zi e kuptojnë këtë shumë mirë.”

Problemi, thotë zoti Sunter, është se disa komandantë të ushtrisë, ende të zemrëuar që zoti Xhinxhiq e dërgoi Sllobodan Millosheviçin në Gjykatën e Hagës, vazhdojnë t’i bëjnë qëndresë reformës. Nga ana e saj, analistja Sonja Biserko thotë se duke mbajtur më tepër qëndrime nacionaliste dhe duke qëndruar më pranë kishës orthodokse, zoti Xhinxhiq po përpiqet të sigurojë përkrahjen e ushtrisë, një insitucion tepër i admiruar nga publiku dhe që konsiderohet si një kollonë mbështetëse për shoqërinë serbe.

Ndërkohë që zgjedhjet parlamentare mund të mbahen pas një viti, gazetari Sunter thotë se para zotit Xhinxhiq shtrohet sfida, jo thjesht për zbatimin e reformave të vonuara në fushën e drejtësisë dhe ushtrisë, por ai gjithashtu duhet të nxisë më tepër luftën kundër krimit të organizuar.

”Një problem kryesor për Serbinë është ekzistenca e krimit të organizuar, me të cilin kanë lidhje të gjitha institucionet e vendit. Kjo traditë ka filluar që prej më tepër se 10 vjetësh. Dhe për shkak të këtij fenomeni, ndoshta këto lloj lidhjesh vazhdojnë të ekzistojnë edhe në disa institucione qeveritare. Duhet të kemi parasysh se më 5 tetor të viti 2 mijë, kur Sllobodan Millosheviçi u largua nga pushteti, ishte krimi i organizuar që ndihmoi në largimin e tij. Dhe pikërisht për këtë arsye, ne nuk e dimë me siguri në se politikanët tregohen të ndershëm kur thonë se duan të pastrojnë krimin e organizuar, këtë pjesë problematike të shoqërisë serbe.”

Vetë zoti Xhinxhiq mund të ketë lidhje me krimin e organizuar. Më 21 shkurt, në afërsi të aeroportit të Beogradit, një kamion i madh devijoi në mes të trafikut, duke ju shmangur vargut të makinave, ndoshta në përpjekje për të kryer vrasje. Aksidenti mundi të evitohet me shumë vështirësi dhe në lidhje me të u zhvilluan debate të shumta, të cilat çuan në fillimin e hetimeve.//ii

XS
SM
MD
LG