Lidhje

Kritika për aktorët Sean Penn dhe Martin Sheen - 2003-03-10


Aktorë të njohur si Sean Penn dhe Martin Sheen po kritikohen ashpër, pasi po përdorin famën e tyre për t’i bërë publicitet në media kundërshtimit të luftës kundër Irakut. Tani Hollivudi po i përgjigjet kërcënimit për t’u përjashtuar nga filma të ardhshëm:

Aktorët e famshëm të Hollivudit, kanë shkaktuar shumë reagime me qëndrimet e tyre të hapura kundër luftës. Sheryl Crowe u kritikua sepse veshi në një ceremoni për dhënie çmimesh një bluzë ku shkruhej “Lufta nuk është zgjidhje”.

Sean Penn ka ngjallur reagime të inatosura pasi vizitoi Bagdadin, ndërsa Martin Sheen ka marrë letra të mbushura me urrejtje pasi bëri një reklamë kundër luftës në televizion.

Sipas Shoqatës së Aktorëve Televizivë, atyre që kanë shprehur pikëpamje kundër luftës u janë dërguar letra ku shprehej urrejtje, si edhe është bërë thirrje që filmat dhe albumet e tyre të mos diskutohen në emisionet e radiove dhe nga grupet që komentojnë në internet. Shoqata thotë se një gjë e tillë “të bën të mendosh se mësimet e historisë për disa njerëz kanë rënë në veshë të shurdhër”.

Në një deklaratë të kësaj shoqate thuhet se artistët e famshëm, nuk duhet të ndëshkohen ose “të vuajnë profesionalisht për kurajon që të shprehin pikëpamjet e tyre. Qoftë edhe shenja më e vogël e masave kundër tyre, nuk duhet të tolerohet më në këtë vend”.

Aktori Martin Sheen është vënë në qendër të kritikave që kur u shfaq si zëdhënës kryesor i personave që janë kundër luftës. Ata që i kanë dërguar atij letra ku shprehet urrejtje, i kanë kërkuar stacionit televiziv NBC ku ai interpreton rolin e presidentit në një serial televiziv për Shtepinë e Bardhë, që ta pushojnë atë nga puna. Në një deklaratë publike, stacioni televiziv është shprehur se pikëpamjet personale të aktorit nuk kanë të bëjnë aspak me filmin. Në një konferencë shtypi në Los Angeles, zoti Sheen u shpreh:

“Ndërsa lufta afrohet, ne nuk duhet të harrojmë se 2 milionë vetë mund të bëhen refugjatë. Lufta mund të shkaktohen gjysmë milioni viktima, të vdekur dhe të plagosur. Ne po shpenzojmë miliarda dollarë për këtë luftë, ndërsa shumë fëmijë në shumë shkolla në gjithë Amerikën kanë libra dhe klasa të pamjaftueshme, shumë njerëz nuk paguajnë dot mjekun dhe ne na thuhet se nuk ka para për strehim dhe kurse profesionale kualifikimi. Mendoj se miliardat tona mund të përdoren për gjëra shumë më të mira se lufta”.

Analisti i gazetës Los Angeles Times dhe ndihmësprofesor në Universitetin e Kalifornisë Jugore, Howard Rosenberg thotë se angazhimi i zoti Sheen si aktivist nuk duhet t’i habisë amerikanët. Ai shton se shoqëria duhet të bëjë dallimin mes aktorëve si persona dhe roleve që ata luajnë në ekran.

“Martin Sheen nuk u bë aktivist këtë vit, ose 3-4 vitet e fundit. Ai ka qenë aktivist shoqëror dhe politik prej vitesh. Nëse njerëzit nuk mund të bëjnë dallimin mes Martin Sheen-it si person dhe rolit të tij në serialin televiziv, atëherë ky është një problem për shoqërinë”.

Shoqata e Aktorëve Televizivë dhe zoti Farrell thonë se gjendja e tanishme të sjell ndër mend vitet 1950 kur Hollivudi u vu në shënjestër të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Veprimtari antiamerikane që drejtohej nga senatori Joseph McCarthy, komision që u krijua për të spastruar ndikimet komuniste në Shtetet e Bashkuara.

Mbi 320 artistë, mes tyre Arthur Miller, Orson Welles, dhe Charlie Chaplin u futën në listën e zezë e cila ndikoi që ata të mos punonin për industrinë e argëtimit, për shkak të pikëpamjeve të tyre të konsideruara të majta ose jopatriotike.//ii

XS
SM
MD
LG