Lidhje

Shtëpia e Bardhë nuk është gati të pranojë se nuk ekziston mbështetje e mjaftueshme për rezolutën - 2003-03-11


Presidenti Bush anulloi të gjitha veprimtaritë e tjera për ditën e djeshme, shenjë kjo se sa punë mbetet për tu bërë në kuadër të përpjekjeve diplomatike për të siguruar mbështetje për projekt-rezolutën e fundit. Presidenti e kaloi ditën e djeshme duke telefonuar udhëheqësit botërorë për të kërkuar mbështetjen e tyre për rezolutën, e cila në të vërtetë do të autorizonte ndërhyrjen ushtarake në qoftë se Iraku nuk çarmatoset deri më 17 mars.

Ndërkohë, si Rusia edhe Franca kanë deklaruar tashmë se do të votojnë kundër kësaj projekt-rezolute. Dhe si anëtare të përhershme të Këshillit të SIgurimit, votimi kundër si nga Moska ashtu edhe nga Parisi do ta hidhte poshtë rezolutën edhe në se ajo miratohet nga 9 vende të Këshillit të Sigurimit, numër ky i nevojshëm.

Për të shtuar mundësitë e miratimit të rezolutës, Britania la të hapur mundësinë e një kompromisi e madje edhe shtyrjen e afatit të 17 marsit për çarmatimin e Irakut. Një ide që u ngrit nga qeveria britanike është që Irakut ti jepet një listë specifike me kërkesat e çarmatimit, të cilën Sadam Huseini duhet ta zbatojë në mënyrë që vendi i tij të shmangë ndërhyrjen ushtarake.

Tani për tani, Shtëpia e Bardhë nuk është gati të pranojë se në Këshillin e Sigurimit nuk ekzistojnë votat e nevojshme për miratimin e rezolutës, por zëdhënësi Ari Fleischer foli me fjalë të ashpra se dështimi i Kombeve të Bashkuara për të miratuar ndërhyrjen ushtarake për të çarmatosur Irakun do të përbënte një dështim moral për organizatën botërore.

“Ashtu siç bota dëshmoi në Ruanda, ashtu siç bota dëshmoi në Kosovë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të dështonte edhe në këtë rast. Mosveprimi nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së po bëhet si një model, si një prirje për këtë organizatë.”

Tani për tani, Shtetet e Bashkuara kanë të sigurtë vetëm votën e Britanisë, Spanjës dhe të Bullgarisë në mbështetje të rezolutës. Megjithatë, administrata e presidentit Bush nuk ka plane ta tërheqë atë, madje Shtëpia e Bardhë pret të mbahet votimi në Këshillin e Sigurimit para fundit të javës.

Si Londra edhe Washingtoni thonë se do ta çarmatosin Irakun në një mënyrë apo një tjetër, edhe në qoftë se një hap i tillë do të thotë që ato të veprojnë pa autorizimin e OKB-së dhe të zemërojnë aleatët tradicionalë.

//ze//

XS
SM
MD
LG