Lidhje

Thaçi: Vrasja e kryeministrit Xhinxhiç, sulm ndaj institucioneve demokratike - 2003-03-12


Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi fillimisht reagimi juaj ndaj vrasjes se kryeministrit Xhinxhiç

Hashim Thaçi: Vrasja e kryeministrit Xhinxhiç tregon edhe njëherë se sa me ndikim janë në Beograd thjesht obsionet militariste, konfliktuoze, jo të debatit. Ky veprim është një veprim i egër dhe një hap i dënueshëm për të gjithë botën demokratike. Është një atentat ndaj njerëzve të reformave dhe bartësve të reformave demokratike në Serbi por edhe me vizion për të ardhmen e rajonit. Kjo tregon edhe njëherë se sa thellë është futur krimi në Beograd. Ky është sulm ndaj institucioneve demokratike, shoqërisë dhe vetë Serbisë por mund të ketë edhe reflektime negative për zhvillimet në rajon sepse kryeministri Xhinxhiç ishte një politikan me orientim të qartë perendimor dhe ishte i vendosur për reforma.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi kryeministri Xhinxhiç po ndiqte një politikë intensive kohët e fundit për Kosovën. A përbën vrasja e tij një humbje të mundësisë për të filluar bisedimet?

Hashim Thaçi: Kjo vrasje do ti ketë reflektimet e veta të rënda fillimisht brenda në Serbi për momentin por edhe për të ardhmen e saj sepse mund të hapë rrugë për ardhjen në pushtet në Beograd të forcave nacionaliste dhe millosheviçiane. Shoqëria dhe institucionet në Serbi por në përgjithësi në rajon duhet të distancohen dhe besoj se do të distancohen nga bota e krimit qoftë ai politik apo ekonomik. Kjo mund të ketë reflektime edhe në Kosovë megjithë obsionet e paraqitura kohët e fundit nga zoti Xhinxhiç sepse tek serbët e Kosovës kjo vrasje mund të futë konfuzion, plasaritje, dilema dhe frikë për të ardhmen e tyre por në të njëjtën kohë mund të ketë reflektime edhe për ngadalësimin e kthimit të refugjatëve në Kosovë. Përsa i përket dialogut Prishtinë-Beograd që është folur kohët e fundit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe UNMIK-ut por edhe atyre të Beogradit, ky proces ka të ngjarë për një kohë të ngrijë sepse Prishtina nuk do të ketë adresë të qendrueshme me kë të bisedoj.

Zëri i Amerikës: Pra në se iu kuptova drejt ju do të jeni në pritje të zhvillimeve në Serbi tani?

Hashim Thaçi: Po ne sot kemi zhvilluar takime konsultative me faktorin ndërkombëtar, me zyrat diplomatike gjithashtu edhe me përfaqësuesit e UNMIKut, administratorin Shtajner dhe të gjithë janë në pajtueshmëri që të shohim të presim zhvillimet në Serbi mbasi atje është edhe gjendja e jashtëzakonshme tani.

//rd//

XS
SM
MD
LG