Lidhje

SHBA: Rezoluta mund të mos paraqitet për votim - 2003-03-13


Shtëpia e Bardhë thotë se egziston mundësia që të mos e paraqesë fare për votim në Këshillin e Sigurimit projektrezolutën e re për Irakun, e cila vazhdon të kundërshtohet nga Kina, Rusia dhe Franca. Presidenti Bush kishte shpresuar që votimi të kryhej nesër.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleisher tha se procesi diplomatik mund të përfundojë nesër, por mund të zgjatet edhe javën tjetër. Presidentit Bush i duhen 9 vota në Këshillin e Sigurimit për të siguruar miratimin e rezolutës e cila parashikon zbatimin e kërkesës së mëparshme për “pasoja serioze” kundër Irkaut, në se ky vend nuk çarmatoset.

Presidenti tha javën e kaluar se ai dëshironte ta paraqiste rezolutën për votim, pavarësisht nga rezultati. Por të enjten zyrtarët e lanë të hapur mundësinë e tërheqjes së rezolutës nga votimi, në se mbështetja për të nuk do të ishte e mjaftueshme.

Franca, Rusia dhe Kina janë kundër rezolutës, duke thënë se miratimi i saj do ta shtonte mundësinë e fillimit të luftës. Këto vende duan që inspektimet në Irak të vazhdojnë. Franca thotë se do të votojë kundër rezolutës së re. Të mërkurën Parisi nuk e pranoi një propozim britanik për t’i vënë Irakut disa kushte që do të shërbenin si tregues të respektimit të rezolutave nga ky vend. Zëdhënësi Fleisher tha se kërcënimi francez nuk është rruga e duhur për të siguruar çarmatosjen e Irakut. “Franca u njoh me propozimin britanik dhe e hodhi atë poshtë madje edhe para se ta hidhte poshtë vetë Iraku. Në se kjo nuk nuk është një veto e paarësyeshme, atëhere çfarë tjetër mund të jetë? Ne po i ndjekim qëndrimet e Francës dhe do të uronim që të ndodhte ndryshe”, tha zëdhënësi Fleisher.

Zoti Fleisher thotë se presidenti po bën përpjekjet maksimale dhe po toleron sa mundet për miratimin e një rezolute të re, por hapësira që ai ka për të manovruar është e kufizuar, tha zëdhënësi. Të enjten presidenti Bush vazhdoi javën e ngjeshur të diplomacisë telefonike, duke biseduar me udhëheqësit e Koresë së Jugut dhe Bullgarisë, si dhe me kryeministrin britanik Tony Blair, me të cilin ai po planifikon strategjinë që duhet ndjekur për të siguruar miratimin e rezolutës.

Presidenti Bush po ashtu u takua të enjten me kryeministrin e Irlandës Bertie Ahern në Shtëpinë e Bardhë gjatë ceremonisë tradicionale të Ditës së Shën Patrikut. Kryeministri Ahern tha se Irlanda e mbështet rezolutën e re që do ta detyrojë Irakun të heqë dorë nga armët kimike dhe biologjike. Presidenti Bush e falenderoi kryeministrin irlandez për mbështetjen. “Ne e vlerësojmë përpjekjen e Irlandës që kërkesat e drejta të organizatës botërore të respektohen. Nuk është gjithmonë e lehtë të mbash përsipër përgjegjësitë për garantimin e lirisë, por Irlandën dhe Amerikën i bashkon angazhimi i përbashkët për të mbrojtur lirinë nga çdo tiran dhe terror”, tha presidenti Bush.

Ndërsa në rajonin e Gjirit Persik ndodhen mbi 270 mijë trupa amerikane dhe britanke, presidenti Bush thotë se ai është i gatshëm të përdorë forcën ushtarake për të çarmatosur Irakun pavarësisht se si do të vendosë Këshilli i Sigurimit.

/ax/

XS
SM
MD
LG