Lidhje

Presidenti Bush takohet me viktimat irakiane - 2003-03-15


Presidenti Bush u takua dje me njerëz që mbetën gjallë nga një sulm kimik kundër civilëve irakianë para 15 vjetëve. Siç njofton korrespondenti ynë Scott Stearns, takimi ishte pjesë e fushatës së vazhdueshme të administratës për të diskredituar udhëheqësin irakian Saddam Hussein.

Presidenti Bush u takua me personat në fjalë për afro 15 minuta. Pastaj, personeli i tij organizoi një takim të tyre me gazetarët e akredituar pranë Shtëpisë së Bardhë, ku ata kujtuan tmerret e 15 vjetëve më parë.

Zëdhënësi Ari Fleischer tha se historitë që treguan këta njerëz nga sulmi me armë kimike i Saddam Husseinit kundër fshatit Halabja, tregon se udhëheqësi irakian Saddam Hussein është një diktator brutal dhe se Iraku do të shpëtojë kur ai të largohet.

Dje, Departamenti i Shtetit mbështeti përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të publikuar sulmin kimik të vitit 1988, duke botuar një fletëpalosje me ngjyra ku paraqiteshin pamje makabre të viktimave dhe fakte të tjera.

Mendohet se gjatë sulmit gjetën vdekjen 5 mijë civilë ndërsa 10 mijë të tjerë u dëmtuan për shkak të bombave me gaz mustardë dhe me helme të tjera të ndaluara.

Administrata e Presidentit Bush tha se përvjetori i këtij sulmi shërben si kujtesë për nevojën e çarmatosjes së Irakut.

Në kushtet kur projektrezoluta amerikane kundër Irakut përballet me veton e Rusisë dhe të Francës, Presidenti Bush thotë se është i gatshëm të përdorë forcën për rrëzimin e Saddam Husseinit pavarësisht se çfarë do të vendosin Kombet e Bashkuara./ii

XS
SM
MD
LG