Lidhje

Presidenti Bush i jep ultimatum udhëheqësit irakian - 2003-03-17


Presidenti Bush i dha udhëheqësit irakian Sadam Husein 48 orë afat që të largohet nga vendi i tij përndryshe do të përballet me ndërhyrje ushtarake.

Presidenti Bush tha se e vetmja mënyrë që udhëheqësi irakian mund të shmangë konfliktin është që të largohet nga pushteti deri nesër.

“Sadam Huseini dhe djemtë e tij duhet të largohen nga Iraku brënda 48 orësh. Refuzimi i tyre për të bërë një gjë të tillë do të rezultojë në një konflikt ushtarak, që do të fillojë kur të vendosim ne. Për sigurinë e tyre, të gjithë qytetarët e huaj, duke përfshirë edhe gazetarët e inspektorët, duhet të largohen nga Iraku menjëherë.”

Presidenti Bush hoqi dorë dje nga përpjekjet diplomatike dhe i ndodhur përballë kërcënimit të vendosjes së vetos nga Franca, vendosi të mos kërkonte votimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi një rezolutë kundër Irakut.

Pas më shumë se 10 rezolutash dhe qindra inspektime armësh, presidenti Bush tha se vullneti i mirë i botës nuk ka dhënë rezultate, sepse Iraku e ka përdorur diplomacinë si një taktikë për të fituar kohë dhe avantazh.

Franca, Rusia dhe Kina kundërshtuan rezolutën e re sepse donin tu jepnin inspektorëve të armëve më shumë kohë. Në ultimatumin e tij mbrëmë presidenti e bërë të qartë se inspektimeve nuk do tu jepet më shumë kohë.

Ai shtoi se Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij, prandaj Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate do të zbatojnë, siç u shpreh ai, “kërkesat e drejta të botës”.

Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara kanë autoritetin sovran që të përdorin forcën për të mbrojtur sigurimin e tyre kombëtar; në këtë rast të parandalojnë Irakun që të ndihmojë terroristët të përdorin armët e shkatërrimit në masë.

Presidenti i bëri thirrje drejtëpërdrejtë popullit irakian, duke u thënë atyre se Shtetet e Bashkuara do ti ndihmojnë që të rindërtojnë vendin e tyre nga konflikti, i cili tani duket se nuk është larg.

Ai tha se trupat amerikane do të shpërndajnë ushqime dhe ilaçe dhe diplomatët amerikanë do ti ndihmojnë irakianët të rindërtojnë një vend për të cilin zoti Bush tha se do të jetë i gebatë dhe i lirë.

“Së shpejti tirani do të marë fund. Dita e çlirimit tuaj është e afërt. Për Sadam Huseinin është tepër vonë që të qëndrojë në pushtet. Nuk është tepër vonë për ushtrinë irakiane që të veprojë me nder dhe të mbrojë vendin e vet duke lejuar hyrjen paqësore të forcave të koalicionit për të zhdukur armët e shkatërrimit në masë.”

Presidenti Bush u bëri thirrje ushtarëve irakianë që të dorëzohen tek trupat amerikane dhe u tha atyre që të mos luftojnë për një regjim që po mer fund dhe që nuk ia vlen të humbasësh jetën.

“Në çdo konflikt, fati juaj do të varet nga veprimet tuaja. Mos shkatërroni puset e naftës, burim pasurie që i takon popullit irakian. Mos iu bindni asnjë urdhëri për të përdorur armët e shkatërrimit në masë kundër askujt, duke përfshirë edhe popullin irakian. Krimet e luftës do të gjykohen. Kriminelët e luftës do të dënohen. Dhe nuk mund të mbroheni duke thënë se thjeshtë ndoqët urdhërat.”

Shumë amerikanë kanë frikë se lufta në Irak do të shtojë rrezikun e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara. Në fjalimin e tij, presidenti u përpoq ti qetësonte disi këto shqetësime, duke thënë se qeveria amerikane është në gjendje të lartë gadishmërie dhe ka shtuar patrullat në portet dhe aeroportet kryesore. Ai shtoi se kërcënimi terrorist ndaj Amerikës dhe botës do të pakësohet në momentin që Sadam Huseini të çarmatoset.

//ze//

XS
SM
MD
LG