Lidhje

Fjalimi i presidentit Bush - 2003-03-18


Udhëheqësit irakian Saddam Hussein-it i mbeten tani disa orë për t’u larguar nga vendi, ose përndryshe do të përballet me veprime ushtarake. Në fjalimin e tij drejtuar vendit mbrëmë në darkë, Presidenti Bush tha se përpjekjet diplomatike kishin marrë fund dhe i përacaktoi udhëheqësist irakian afatin kohor prej 48 oresh që të largohet.

”Saddam Husseini dhe djemtë e tij duhet të largohen nga Iraku brenda 48 orëve. Kundërshtimi i tyre për ta bërë një gjë të tillë do të rezultojë në fillimin e konfliktit në një moment që ne ta shohim të përshtatëshëm", tha presidenti.

Presidenti Bush iu drejtua popullit amerikan, botës, dhe në një rast, ai iu drejtua drejtpërdrejt popullit irakian, duke thënë se fjalimi i tij i përkthyer (në arabishts) po transmetohej edhe në radio: ”Në se do të na duhet ta fillojmë luftën, ajo do të drejtohet kundër burrave që sundojnë vendin tuaj në mënyrë të paligjshme, jo kundër jush. Kur koalicioni ynë t’i përmbys ata nga pushteti, ne do t’ju sjellim ushqimet dhe mjekimet, për të cilat ju keni nevojë.”

Presidenti Bush premtoi, sipas fjalëve të tij, ” se do të shkatërrojë të gjithë aparatin e terrorit dhe do të ndihmojë për ndërtimin e një Iraku të ri, të begatë dhe të lirë. ”Në një Irak të lirë nuk do të ketë më luftra agresioni kundër fqinjëve tuaj, as fabrika helmesh, ekzekutime për disidentët, dhoma torturash apo përdhunimesh. Tirani do të hiqet së shpejti. Dita e çlirimit tuaj është pranë,” tha presidenti Bush.

Duke iu drejtuar ushtrisë irakiane, presidenti Bush tha: ”Nuk është tepër vonë të veproni me nder". Forcat amerikane do t’u japin njësive ushtarake irakiane ”udhëzime të qarta,” se si mund t’u shmangen sulmeve dhe asgjesimit. "I bëj thirrje çdo pjesëtari të ushtrisë irakiane dhe të shërbimeve të zbulimit: nëse lufta fillon, mos luftoni për një regjim që po jep shpirt dhe i cili nuk është i denjë t’i kushtoni jetën tuaj" tha presidenti.

Presidenti Bush paralajmëroi gjithashtu, në mënyrë të qartë, se fati i personelit ushtark dhe civil irakian do të varet nga veprimet e tyre. "Mos shkatërroni puset e naftës, këtë burim pasurie që i përket popullit iarkian. Mos iu bindni urdhërave për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë kundër ndokujt", - tha presidenti.

Presidenti Bush tha se do të ndiqen penalisht krimet e luftës dhe kriminelët do të dënohen:

"Nuk do të mund të mbroheni dot, duke thënë: ”Po zbatoja vetëm urdhërat...

Presidenti Bush tha se asnjë vend nuk mund të pretendojë se Iraku është çarmatosur. Ai shtoi se Iraku nuk do të çarmatoset ”Për sa kohë që Saddam Husseini të vazhdojë të qëndrojë në pushtet.” Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij, prandaj na mbetet ne të ushtrojmë tonat.

Ndërkohë, pas fjalimit të presidentit, qeveria amerikane njoftoi se e kishte ngritur gjendjen e sigurisë në nivelin e dytë, duke paralajmëruar për sulme të mundshme kundër Shteteve të Bashkuara, në rastin e fillimit të luftës me Irakun.

Presidenti Bush nuk ka në plan të marrë pjesë sot në takime publike, pritet që ai mos paraqitet para kamerave për 48 orë, deri kur afati që i është dhënë Saddam Husseinit të skadojë, nesër në mbrëmje. Në rast se udhëhëqësi irakian nuk pranon të largohet nga vendi, atëhere presidenti Bush do të dalë para publikut, në këtë rast, për të shpallur fillimin e luftës.

Disa demokratët amerikanë kritikojnë presidentin për atë që e quajnë dështim të diplomacisë

Menjëherë pas fjalimit të presidentit Bush, ligjvënësit e të dyja partive shprehën mbështetje për trupat amerikane. Por disa demokratë janë të zhgënjyer me faktin që administrata nuk mundi të sigurojë mbështetjen e Kombeve të Bashkuara për një projektrezolutë që të autorizonte përdorimin e forcës.

Demokratët vazhduan ta kritikojnë presidentin Bush për atë që ata e quajnë dështim të diplomacisë amerikane.

Megjithatë, edhe ata demokratë që kanë shprehur tonet më të forta të kritikës ndaj Presidentit, po thonë se tani të gjithë, pa dallime partish, duhet të mbështesin forcat amerikane që ndodhen në terren.

Senatori John Warner, kryetar i komisionit të senatit për forcat e armatosura tha se Shtetet e Bashkuara kanë mbështetjen ndërkombëtare për veprimet e tyre, pavarësisht nga kundërshtimet e Francës dhe disa vendeve të tjera.

Republikani Warner dhe demokrati Carl Levin thanë dje se senati do të miratojë një rezolutë ku të shprehet mbështetja për trupat amerikane në terren.

Mbrëmë, disa orë para se Presidenti të mbante fjalimin e tij në televizion, ai u takua me udhëheqësit demokratë dhe republikanë të Kongresit. Një nga temat kryesore të takimit ishte çështja e fondeve shtesë që do të duhen për një luftë në Irak.

Demokratët e kanë kritikuar administratën se nuk i ka pasqyruar në buxhetin e saj shpenzimet për luftën dhe për operacionet e paqes pas luftës.

Por udhëheqësi i pakicës demokrate të senatit, Tom Daschle nuk u ndal me kaq. Ai shprehu kritika të ashpra edhe në një aspekt tjetër.

“Jam i trishtuar, i trishtuar që ky president dështoi kaq keq në aspektin diplomatik sa që ne tani po detyrohemi të hyjmë në luftë. Jam i trishtuar që na duhet të sakrifikojmë kaq shumë sepse ky president nuk mundi të realizojë ato përpjekje diplomatike që ishin aq të rëndësishme për vendin tonë,” tha senatori Daschle.

Komentet e tij dhe të demokratëve të tjerë u pritën me reagime të ashpra nga republikanët. Senatori republikan Jeff Sessions, anëtar i komisionit të forcave të armatosura, tha se në muajin tetor, Kongresi duke përfshirë senatin, i cili në atë kohë kishte shumicë demokrate, e autorizoi përdorimin e forcës kundër Irakut.

“Ne kemi një çerek milioni trupa në rajonin rreth Irakut dhe ata janë gati të venë jetën në rrezik për ne. Ne nuk duhet të japim as dyshimin më të vogël se nuk do ta respektojmë angazhimin e tyre, tha senatori republikan,” tha senatori Sessions.

Disa senatorë demokratë thanë se çështja nuk është nëse Shtetet e Bashkuara do ta fitojnë apo jo luftën pa mbështetjen e Kombeve të Bashkuara. Çështja është nëse do të forcohet në këto kushte siguria e Shteteve të Bashkuara apo kaosi dhe paqendrueshmëria në Lindjen e Mesme do të thellohet do t’i kushtojë më shumë vendit.

Por sa mund të kushtojë një luftë kundër Irakut? Kostoja fillestare pritet të jetë 65 miliard deri në 95 miliard dollarë. Pritet që presidenti t’ja dërgojë Kongresit kërkesën për këto fonde shtesë menjëherë pasi të ketë filluar ofensiva në Irak.

//rd//

XS
SM
MD
LG