Lidhje

Në kujtim të tragjedisë së Halabjes - 2003-03-18


Nuk ka dyshim se regjimi irakian i Saddam Husseinit zotëron armë të shkatërrimit në masë, midis të cilave armë kimike dhe biologjike. Ky regjim i ka përdorur këto lloje armësh kundër popullit irakian. Këtë muaj mbushen plot 15-vjet nga dita e terrorit ndaj qytetarëve të Halabjes.

Ky qytet me 50 mijë banorë shtrihet pranë kufirit të Irakut me Iranin. Për ngjarjen tragjike që ndodhi në 16 mars të vitit 1988 nuk u bë asnjë lloj paralajmërimi. Halabja pati fatin e keq se ndodhej në frontin e parë të luftës Iran-Irak, që në atë kohë kishte hyrë në vitin e tetë të saj. Sulmi ndaj Halabjes filloi me një bombardim ajror dhe me artileri nga ana e Irakut, që i detyroi banorët e qytetit të futeshin në strehimet e nëndheshme. Pas këtyre sulmeve, helikopterët dhe avionët irakianë hodhën gaz mustard, si dhe agjentë nervorë.

Me përhapjen e gazit helmues, ngordhën kafshë dhe zogj ndërsa banorët e Halabjes braktisën shtëpitë e tyre. Por siç tregon Nouri Hama, një prej personave që mundën të shpëtojnë, ”Shumë nga gratë dhe fëmijët filluan të vdesin. Retë me lëndë kimike ishin grumbulluar në tokë. Ato ishin të rënda... Shumë fëmijë mbetën të shtrirë në tokë, në qoshe të rrugës. Po ashtu edhe pleq. Ndërsa vraponin, ata ndalonin për të marrë frymë dhe pasi thithnin ajrin e helmuar, vdisnin.”

Forcat ushtarke të Sadam Husseinit kanë vrarë rreth 5 mijë burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm irakianë. Shumë nga njerëzit që mundën të shpëtojnë vazhdojnë t’i vuajnë edhe sot pasojat e asaj dite. Disa prej tyre kanë plagë në mushkëri, të tjerë kanë mbetur të verbër. Sulmet me armë kimike ndotën edhe ushqimin dhe rezervat e ujit. Mjekët kanë dokumentuar se personat që shpëtuan gjallë nga masakra e Halabjes vuajnë nga nivele të larta të kancerit të zorrës së trashë dhe sëmundje të aparatit të frymëmarrjes, gratë kanë kanë një shkallë të ulët pjellorie dhe kanë prirjen të abortojnë pa dashur.

Sulmi ndaj Halabjes nuk ishte as lajthitje dhe as një veprim i dëshpëruar i një regjimi në luftë dhe pa rrugëdalje. Përkundrazi, ai ishte pjesë e një fushate, të quajtur Al-Anfal, me të cilën Saddam Husseini synonte të vriste dhe të zhvendoste banorët kryesisht kurdë të Irakut Verior.

Në një studim të botuar në vitin 1994 nga organizata Human Rights Watch, thuhet se fushata Al-Anfal shkaktoi të paktën 50 mijë të vdekur dhe ndoshta rreth 1qind mijë të plagosur. Tragjedia e Halabjes jo vetëm që shërben si mësim për historinë, por tregon se çfarë është i aftë të bëjë regjimi i Saddam Husseinit. Jeta e popullit irakian do të përmirësohet në mënyrë dramatike, kur Saddam Husseini të mos jetë më në pushtet.// lk //

XS
SM
MD
LG