Lidhje

Bahreini i ofron strehim Sadam Huseinit - 2003-03-19


Bahreini i ofroi strehim Sadam Husenit, vetëm pak orë para përfundimit të afatit të caktuar nga Shtetet e Bashkuara që udhëheqësi irakian të largohet nga vendi ose të përballet me ndërhyrje ushtarake. Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia e lajmeve e Bahreinit, Mbreti Hamad, tha se vendi i tij është i gatshëm t’i japë strehim presidentit Husein, nëse ai dëshiron të jetojë atje me dinjitet dhe respekt. Mbreti Hamad tha se kjo ofertë nuk duhet shikuar si përpjekje për të nënvleftësuar aftësitë apo statusin e Irakut. Udhëheqësit irakianë e kanë hedhur poshtë ultimatumin amerikan që Sadam Huseini dhe djemtë e tij të japin dorëheqjen dhe të largohen nga vendi. Parlamenti i Iraku shprehu sot mbështetjen për presidentin Husein në një sesion urgjent, ku një numër ligjvënësish deklaruan se ishin të gatshëm të sakrifikonin gjakun e shpirtin e tyre për udhëheqësin irakian. Kryetari i parlamentit, Sadun Hamadi, tha se Iraku është i gatshëm të mbrohet dhe idenë që Sadam Huseini të largohet nga vendi e cilësoi si të paimagjinueshme. Në të njëjtën kohë, irakianët vazhdojnë të largohen nga Bagdadi. Njoftimet nga qyteti bëjnë të ditur se pronarët i kanë mbyllur dyqanet me dyer hekuri dhe i kanë transferuar inventaret në magazina të sigurta. Njoftohet se lokalet ku njerëzit mblidhen zakonisht për biseda dhe për të pirë kafe, janë të zbrazëta. Lajmet flasin për radhë të gjata nëpër pikat e karburantit.

XS
SM
MD
LG