Lidhje

Analistët: forcat e koalicionit duhet të kishin patur më tepër sukses në fushën e betejës - 2003-03-26


Një pjesë e mirë e skepticizmit rreth luftës në Irak po pasqyrohet në disa njoftime ku lihet të kuptohet se pas gjashtë ditësh të operacionit për Lirinë e Irakut, forcat e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara duhet të kishin patur më tepër sukses në fushën e betejës. Përpjekjet për të përgënjeshtruar vlerësime të tilla janë bërë tani detyra kryesore e zyrtarëve të lartë të mbrojtjes.

Forcat e koalicionit po zhvillojnë beteja me forcat irakiane shumë pranë Bagdadit dhe po thyejnë rezistencën e tyre në shumë zona, por disa vëzhgues lenë të kuptohet se ofensiva, edhe pse ndoshta nuk mund të cilësohet e dështuar, po ecën shumë ngadalë.

Zyrtarët e Pentagonit e kundërshtojnë këtë vlerësim, duke e quajtur përparimin e trupave të aleancës jashtëzakonisht të mirë dhe thuajse mbi parashikimet. Ata theksojnë gjithashtu se asnjë zyrtar i lartë nuk e parashikonte se beteja për të rrëzuar Sadam Huseinin do të përfundonte në pak ditë.

Shefi i shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Richard Myers beson se pjesë e problemit është mbulimi 24 orësh i luftës, në kushtet kur shumica e transmetimeve bëhen drejtpërdrejt nga fusha e betejës. “Ne shohim se ç’ndodh 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Mendoj se kjo krijon idenë se lufta po vazhdon për një kohë të gjatë dhe ka shumë zhvillime. Në fakt ka zhvillime të shumta, por gjëja më e rëndësishme është se ne po ecim sipas planit dhe kemi forcat e duhura për atë që duam të realizojmë,” thotë gjenerali.

Sekretari i mbrojtjes Donald Rumsfeld është i të njëjtit mendimi përsa i takon mbulimit të ngjarjeve nga fusha e betejës. Në një konferencë shtypi në Pentagon ai u ngatërrua kur foli për ditën e fillimit të luftës, duke e mbuluar këtë gabim me humor. Ashtu siç tha edhe gjenerali, mbulimi 24 orë i ngjarjeve, krijon përshtypjen tek njerëzit se lufta ka ditë, javë, e ndoshta muaj që ka filluar. Në fakt ajo filloi në orën 1 të premten tha sekretari Rumsfeld duke shkaktuar të qeshura në sallë. Edhe mua, tha ai më duken javë të tëra.

Por ka një problem. Zyrtarët e Pentagonit megjithëse ngurojnë të parashikojnë kohëzgjatjen e luftës, javë më parë folën për bombardimet shokuese, siç i quajnë ata, një fushatë kjo e paparë ndonjëherë në historinë e ushtrisë amerikane. Kjo taktikë krijoi idenë, ndoshta jorealiste, se lufta do të ishte e shkurtër.

Shtohet pyetja, a besojnë drejtuesit e Pentagonit se regjimi i Sadam Huseinit vërtet është shokuar? Gjenerali Myers mendon se po. “Në se do të isha në Bagdad dhe do të shikoja në jug divizionin e ushtrisë amerikane që është shumë pranë kryeqytetit, nuk mund të them se do të ndihesha i shokuar por me siguri do të isha i shqetësuar. Dhe regjimi i Sadam Huseinit së shpejti do të ndjehet shumë i shqetësuar”, tha gjenerali.

Sipas Pentagonit, autoritetet irakiane janë të vetëdijshëm se i kanë ditët e numëruara. Por ata paralajmërojnë se një regjim që po përmbyset mund të jetë ende brutal dhe në dëshpërim e sipër mund të përdorë armët kimike. Siç tha zoti Rumsfeld, fushata në ditët dhe javët që vijnë ka mundësi të bëhet më e rrezikshme.

//rd//

XS
SM
MD
LG