Lidhje

Shefi i Shtabit të Bashkuar amerikan thotë se luftimet më të vështira në Irak ende nuk kanë filluar - 2003-03-30


Gjenerali Majërs tha se lufta deri tani, në 10 ditët e para, ka shkuar mirë. Megjithatë gjenerali amerikan e përgatiti publikun për luftime më të ashpra në të ardhmen.

“Gjithmonë e kam thënë se pjesa më e vështirë e luftës ende nuk ka filluar. Lufta nuk do të jetë e njëtrajtshme për sa i përket vështirësisë. Mendimi im është se pjesa më e vështirë ende nuk ka filuar”, tha zoti Majërs.

Gjenerali Majërs tha se përparësia e tij kryesore është që të shmangen viktimat e panevojshme në radhët e civilëve irakianë dhe forcave amerikane e britanike. Lidhur me katër ushtarët amerikanë që u vranë të shtunën si rezultat i shpërthimit vetëvrasës të një makine-bombë në qytetin Naxhaf, gjenerali Majërs tha se forcat amerikane po i ndryshojnë procedurat dhe po marrin masa të tjera për shkak të atyre që ai i ciësoi si “akte të disa personave të dëshpëruar”.

Nuk ka zgjidhje kompromisi për luftën

Zyrtarë të lartë amerikanë po hedhin poshtë mundësinë e pauzave, armëpushimeve ose zgjidhjeve nëpërmjet bisedimeve të luftës në Irak.

Gjatë një interviste të djelën me rrjetin televiziv ABC, Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfelld, përjashtoi çdo mundësi për pauza apo armëpushime. Ai pohoi se është e pamundur të parashikohet se sa do të zgjasë lufta në Irak.

Në një intervistë me rrjetin NBC, Gjenerali Riçard Majërs, Shefi i Shtabit të Bashkuar të ushtrisë amerikane, e përjashtoi gjithashtu mundësinë e negociatave që do të përfshinin mundësinë që udhëheqësi irakian të qendrojë në pushtet.

“Nuk do të ketë asnjë zgjidhje politike nëpërmjet bisedimeve. Ky regjim ka marrë fund”, tha ai.

Të dy zyrtarët e lartë thonë se lufta po shkon mirë dhe sipas planeve. Ata parashikojnë se mund të zhvillohen luftime të ashpra për marrjen e Bagdadit, por gjenerali Majërs thotë se njësitë e trupave irakiane që ruajnë kryeqytetin nga jugu, kanë pësuar dëme të mëdha nga sulmet e koalicionit, aq sa tani aftësia e tyre luftarake ka rënë nën 50 për qind të asaj para fillimit të konfliktit. //az//

XS
SM
MD
LG