Lidhje

Sa rëndësi ka në se Sadam Huseini është gjallë, vdekur apo i pafuqishëm? - 2003-04-06


Udhëheqësi irakian, Saddam Husein mund të ketë dalë përsëri në sipërfaqe javën e kaluar, por për zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes një fakt i tillë nuk ka më rëndësi.

Gjatë dy javëve të kaluara, zyrtarë të Pentagonit janë shprehur se nuk e dinë nëse Sadam Husein është gjallë, vdekur apo i pafuqishëm, pas një sulmi ajror të koalicionit, që synonte të godiste udhëheqës irakianë fare në fillim të fushatës.

Televizioni irakian transmetoi imazhe të Sadamit në rrugët e Bagdadit dhe duke mbajtur fjalim ku përmendte tërthorazi ngjarje që lidhen me luftën - hera e parë kjo që ai del në publik që nga fillimi i luftës dhe shenja e parë që tregon se, me sa duket, ai i ka shpëtuar sulmit.

Por duket qartë se zyrtarëve të Pentagonit nuk u kanë bërë përshtypje këto zhvillime. Ashtu siç u shpreh një zyrtar i lartë javën e kaluar se Bagdadi ishte i izoluar ushtarakisht dhe, si rezultat, gati parëndësi, zyrtarë të mbrojtjes po shprehen se ridalja e mundshme në skenë e Sadamit është njësoj e parëndësishme, sepse regjimi i tij nuk gëzon më kontroll të konsiderueshëm në vend. Zëdhënësja e Pentagonit, Viktoria Klark.

“Ajo që ka rëndësi nuk është në se Sadam Huseini është gjallë apo jo, por fakti që ata elementë të mbetur të udhëheqjes irakiane po e shohin me sytë e tyre se po e humbasin kontrollin e vendit - kjo është e rëndësishme. Ne jemi përqendruar në objektivin tonë për t’i dhënë fund regjimit”.

Gjeneral-majori Stanley McChrystal i shtatmadhorisë amerikane u tha gazetarëve se e sheh interesant faktin që udhëheqësi irakian e ndjeu të domosdoshme që të dilte në skenë. Por gjenerali thotë se ka pak prova që tregojnë se Sadami ka kontroll të efektshëm mbi atë që ka mbetur nga ushtria irakiane.

“Është interesant fakti që Sadam Husein, nëse është gjallë, e ndjen të nevojshme të dalë nëpër rrugët e Bagdadit për ta provuar një gjë të tillë. Ajo që na duket se mungon, thotë zyrtari, është komanda dhe kontrolli efektiv nga niveli i tij. Në fakt, ne vërejmë një farë kontrolli dhe komande nga ana e regjimit, por forca komanduese ushtarake, e cila normalisht buronte nga thelbi i regjimit, nuk ka qenë e dukshme në fushëbetejë”.

Përveç ndërprerjes së lidhjeve aq të rëndësishme ushtarake të komunikimit dhe nxjerrjes jashtë përdorimit të pjesës më të madhe të aftësisë transmetuese të Irakut, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkaura ka shkatërruar njësitë më të zgjedhura irakiane, Gardën Republikane.

Sipas Pentagonit, nga 6 divizione të Gardës Republikane, dy janë asgjësuar krejtësisht dhe 4 të tjerëve u ka rënë ndjeshëm efektshmëria luftarake.

Zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se trupa të tjera irakiane po dorëzohen. Ata shpresojnë se edhe të tjerë do të veprojnë në këtë mënyrë, por gjithashtu shpresojnë që disa prej tyre mund të orvaten të ngrenë krye kundër Sadamit dhe përkrahësve të tij më të afërt duke i dhënë fund punës së nisur nga koalicioni.

Ndërkohë, departamenti amerikan i Mbrojtjes nuk pranon të thotë nëse trupave të koalicionit u janë dhënë udhëzime të posaçme se si duhet të veprojnë, po qe se ndeshen papritmas me Sadam Huseinin, të bijtë apo zyrtarë të tjerë të lartë irakianë.

Megjithatë, megjithë përpjekjet për ta përshkruar publikisht udhëheqësin irakian si të parëndësishëm, një zyrtar i Pentagonit thotë se kuptohet qartë që Administrata e Presidentit Bush do të dëshëronte ta kapte të gjallë dhe tua dorëzonte organeve përkatëse për ta ndjekur atë penalisht për krime lufte.

//ze//

XS
SM
MD
LG