Lidhje

Sfidat e reja të Natos - 2003-04-09


Takimi i nivelit të lartë të Natos në Pragë, në nëntor 2002 i hapi rrugën një procesi transformimi të Aleancës së Atlantikut Verior. Ky transformim do të kishte disa objektiva kryesore, si pranimi i anëtarëve të rinj, zhvillimi i aftësive të reja dhe krijimi i marrëdhënieve të reja midis vendeve anëtare. Në një seancë me pyetje përgjigje zhvilluar dje nga Komisioni i Senatit për marrëdhëniet me jashtë, analistë dhe zyrtarë të administratës theksuan sfidat e reja me të cilat ndeshet Aleanca.

Nën-sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Politike, Marc Grossman theksoi nevojën që dyert e Natos të mbeten të hapura. Por ai shton se zgjerimi është vetëm njëri prej aspekteve të transformimit dhe se para Aleancës ndodhen sfida të tjera më të mëdha: "Sfida më e rëndësishme me të cilën ndeshet Natoja është zhvillimi i aftësive për të përballuar kërcënimet moderne të terrorizmit dhe armëve të shkatërrimit në masë. Hendeku që ekziston ndërmjet aftësive ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës është problemi më serioz afat-gjatë me të cilin ndeshet Natoja", tha zoti Gressman.

Nënsekretari Grossman theksoi se takimi i Pragës parashtroi planin e punës për zgjidhjen e këtij problemi, duke bashkuar burimet ekzistuese dhe duke u përqëndruar në specializimin e vendeve anëtare.

Paralelisht me përpjekjet për zgjerimin e Aleancës me anëtarë të rinj, duhet të vazhdojnë edhe përpjekjet për krijimin e partneriteteve të reja.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të përqëndrohen jo vetëm në sfidat aktuale, tha gjenerali Wesley Clark, por edhe në krijimin e procedurave dhe institucioneve që do të nevojiten në të ardhmen. Ai theksoi nevojën që fuqia ushtarake dhe epërsia ekonomike të përdoren për të nxitur demokracinë dhe përparimin në botë dhe për t’u prerë rrugën konflikteve.

Gjenerali Clark theksoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit me aleatët në Evropë. Terrorizmi dhe armët e shkatërrimit në masë mund të ndryshojnë natyrën e rreziqeve me të cilat përballet Amerika, por nuk ndryshojnë në mënyrë rrënjësore natyrën e përgjigjes së Shteteve të Bashkuara, tha zoti Clark. "Natoja është një ndër institucionet ndërkombëtare, që mund të luajnë një rol kritik për sigurinë tonë të përbashkët. Kjo është një forcë konsensusi, që pasqyron jo vetëm interesat e përbashkëta ndërmjet vendeve anëtare, por edhe i krijon ato. Vendet anëtare të Natos janë miqtë tanë më të afërt në arenën ndërkombëtare. Kjo është forca që na lidh duke i shndërruar interesat kombëtare në aleanca të përbashkëta ndër-shtetërore" tha gjenerali.

Redaktori i revistës Weekly Standart, William Kristol, theksoi se Natoja do të vazhdojë të jetë një pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme amerikane, por ai vuri në dukje nevojën e krijimit dhe të forcimit të aleancave të tjera jashtë Natos, për të përballuar situata të ngjashme me atë që u krijua në prag të ndërhyrjes në Irak. "E ardhmja e Natos është me rëndësi, por nuk mund të përjashtojë koalicione të palëve të vullnetshme dhe nuk duhet të përjashtojë një qëndrim krijues për koalicione të reja me vende të tjera, nën-grupe të Natos, apo vende jashtë Natos dhe jashtë Evropës" tha zoti Kristol.

Së shpejti Kongresi amerikan do të debatojë zgjerimin e Aleancës me anëtarë të rinj, një hap i rëndësishëm që shihet si shtrirje e zonës së sigurisë më tej drejt lindjes. Sfidave të reja për sigurimin ndërkombëtar dhe aleancat jo tradicionale të Shteteve të Bashkuara në luftë kundër terrorizmit, mendohet se do të ndikojnë edhe në rolin e Aleancës në të ardhmen.

//rd//

XS
SM
MD
LG