Presidenti Bush dhe kryeministri britanik, Toni Blair, e garantuan popullin irakian se regjimi i Sadam Huseinit po merr fund.
Në një mesazh të regjistruar që u transmetua të enjten nëpërmjet një shërbimi të ri televiziv amerikan, Presidenti Bush tha se regjimi i Sadam Huseinit po përmbyset dhe se periudha e gjatë e frikës dhe e mizorisë po merr fund.
Presidenti theksoi se forcat e koalicionit nuk do të pushojnë derisa të zhduket klika e korruptuar e Sadamit.
Kryeministri Blair i tha popullit irakian se asnjë fuqi e jashtme nuk do të drejtojë qeverinë e re të Irakut.
Ndërkohë, zyrtarë amerikanë po përpiqen të bashkojnë irakianë nga Iraku dhe mërgimtarë irakianë në kuadër të përpjekjeve për krijimin e një qeverie kalimtare.
Zëvendës-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pall Uolfouitz, i tha Kongresit të enjten se Uashingtoni shpreson të organizojë mbledhje në Irak, në mënyrë që qytetarëve irakianë t’u jepet zë në procesin e krijimit të qeverisë. Ai tha se një takim i tillë do të mbahet javën tjetër, por vendi dhe data ende nuk janë caktuar.
Zoti Uolfouitz tha se të gjithë irakianët, brenda dhe jashtë vendit, me përjashtim të atyre që kanë lidhje me Partinë Bath të Sadam Huseinit, janë të ftuar të marrin pjesë në këto takime.//xh//