Lidhje

KOSOVË: Dënohen aktet e dhunës se ditëve të fundit - 2003-04-16


Zyrtarë më të lartë ndërkombëtar dhe vendorë, kanë dënuar sot incidentet e armatosura të ditëve të fundit në Kosovë, duke shprehur shqetësimin e tyre me këto zhvillime. Shefi i UNMIK-ut, Michael Steiner, vizitoi sot vendin e shpërthimit në hekurudhën në veriun e Kosovës, ku më 12 prill është hedhur në erë një urë në afërsi të komunës së Zveçanit në Kosovën veriore. Duke e dënuar ashpër shpërthimin, zoti Steiner ka nënvizuar, se ky është një akt terrorist i drejtuar kundër të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Me këtë rast zyrtarët e policisë thanë, se nga pasojat e shpërthimit besohet se dy persona kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë po merren në pyetje në ndërlidhje me këtë ngjarje. Dy ditë më parë përgjegjësinë mbi këtë shpërthim në hekurudhën që lidh Kosovën me Serbinë, e mori përsipër një grup që veten e quan Armata Kombëtare Shqiptare, e cila më vonë bëri të ditur edhe identitetin e dy anëtarëve të saj që thuhet, se janë vrarë në krye të detyrës. Zyrtarët ndërkombëtarë nuk kanë dashur të komentojnë nëse këto pohime janë të mbështetura në fakte, sikundër që nuk deshën të komentojnë njoftimet, se njëri nga të vrarët është pjestar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dënuar vrasjen e paradyditshme të dy personave dhe plagosjen e tre të tjerëve në një incident të armatosur në komunën e Pejës në Kosovën perëndimore. Në një deklaratë për opinion thuhet se, “në thelb kjo vrasje është akt i drejtuar jo vetëm kundër pjesëtarëve të familjes Selimaj por edhe kundër rendit demokratik, sigurisë, dhe sundimit të ligjit në Kosovë. Ky akt kriminal, thuhet më tej që nuk kurseu as fëmijë e gra, është përpjekje për të penguar vendosjen e rendit dhe të ligjit si dhe përparimin e gjithanshëm në Kosovë”. Vrasja është dënuar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila pohon se, “ky akt është vazhdimësi e akteve të tjera, të ngjajshme, të cilat janë duke shërbyer për destabilizimin e përgjithshëm të Kosovës dhe, në veçanti, për të krijuar ndjenjën e pasigurisë për qytetarët e saj”.

Vrasja është dënuar fuqishëm edhe nga shefi i zyrës amerikane në Prishtinë Reno Harnish i cili ka shprehur shqetësimin e tij për vrasjet e tilla, ku janë përfshirë edhe dëshmitarë të proceseve gjyqësore. Ilir Selimaj i cili u vra të hënën së bashku me kunatën e tij ishte dëshmitar në një proces gjyqësor kundër pesë pjestarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për veprime kriminale kundër bashkëkombësve të tyre në fund të luftës në Kosovë. //ss//

XS
SM
MD
LG