Lidhje

Koreja e Veriut pranon se ka armë bërthamore - 2003-04-24


Njoftohet se Koreja e Veriut u ka deklaruar Shteteve të Bashkuara në bisedimet e Pekinit se ajo ka armë bërthamore.

Zyrtarë amerikanë që kërkuan të mos identifikohen u thanë disa agjencive të lajmeve se Peniani e bëri këtë deklaratë gjatë bisedimeve tripalëshe që përfuan sot dhe ku merrnin pjesë delegacionet amerikane, koreanoveriore dhe kineze.

Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Powell, tha sot në Washington se në bisedimet dy ditëshe rreth kësaj çështjeje u paraqitën ”pikpamje të forta” nga të gjitha palët. Ai tha se diplomatët do të kthehen tani në vendet e tyre përkatëse për të shqyrtuar hapat që duhen ndërmarrë.

Sekretari Powell tha se komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar në këmbëguljen për shndërrimin e gadishullit korean në zonë pa armë bërthamore dhe se Shtetet e Bashkuara e aleatët e tyre nuk do të gjunjëzohen para kërcënimeve.

Sekretari Powell tha se bisedimet e Pekinit ishin paraprake dhe nuk synonin arritjen e ndonjë marrëveshjeje. Ai theksoi se shpreson që delegacioni koreanoverior do të kthehet në Phenian me pikëpaqmje më të qarta rreth shqetësimeve ndërkombëtare për programin e tij bërthamor.

Duke folur në Washington para një grupi mbi politikën ndaj Azisë, zoti Powell nuk dha hollësi rreth bisedimeve, por tha se koreanoveriorët duhet ta dinë se nuk do të arrijnë asgjë nëpërmjet kërcënimeve.

“Ata nuk duhet të largohen nga diskutimet e Pekinit as me përshtypjen më të vogël se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre, si edhe vendet e rajonit do të frikësohen nga deklaratat luftënxitëse, nga kërcënimet apo veprimet që ata mendojnë se do të tërheqin vëmendje më të madhe”.

Zoti Powell tha se administrata e Presidentit Bush kërkon një zgjidhje diplomatike, por nuk do të përjashtojë asnjë alternativë.

Ai tha gjithashtu se Koreja e Veriut nuk ka asnjë arsye të frikësohet nga braktisja e programit të saj bërthamr dhe shtoi se nëse shqetësohet, vendet në rajon janë të gatshme ta ndihmojnë atë dhe t’u japin fund izolimit dhe varfërisë së saj.//ii

XS
SM
MD
LG